Sot më 28 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Gjermanin, ipeshkëv
(28.05.2010 RV)Shën Gjermani lindi në vitin 496 pranë qytetit francez Autun.
Bir i padëshiruar i një gruaje, që nuk e deshi kurrë, Gjermani nuk pati fëmijëri të
lumtur. Jetoi pa ngrohtësi, si eremit, derisa ipeshkvi i Autun-it, Agripini, e thirri
pranë vetes duke e shuguruar diakon e më pas meshtar. Fillon kështu misioni i Shenjtit,
i cili themeloi në Paris kuvendin me famë, Saint-Germain-des-Pres, (Sen Zhermé de
Prè) një nga qendrat më të rëndësishme të përshpirtërisë benediktine e vend sugjestiv
i Parisit modern. Shenjti mori pjesë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të
historisë së Kishës në Francë: në Koncilin e Turit në vitin 567 dhe në Koncilët Kishtare
të Parisit. Njihet edhe si autori i dy letrave me vlerë të veçantë për njohjen e liturgjisë
galikane. Sipas traditës, një ditë Shën Gjermani, tashmë ipeshkëv, i dha urdhër
njërit nga sekretarët e tij t’i shkruante mbi kokën e krevatit datën: “28 maj!”. Askush
nuk e dinte ç’ kuptim kishte kjo datë, derisa një vit më pas, pikërisht më 28 maj,
ipeshkvi shenjt mbylli sytë përgjithmonë, për t’u varrosur në Kapelën e Shën Sinforianit
pranë kishës së abacisë, në një varr të dekoruar, rreth viteve 635, nga Shën Eligji
këshilltar i mbretit Dagoberti. Më pas reliket e tij u mbartën, në prani të Karlit
të Madh e të përfaqësuesve më në zë të klerit, në Kishën e Shën Gjermen-Vieu, që u
bë qendër shtegtimesh e vend mrekullish.