2010-05-28 16:46:25

Papa ambasadorit të ri të Beninit pranë Selisë së Shenjtë: vendi zhvillohet duke nxitur vëllazërinë e duke luftuar korrupsionin.


(28.05.2010 RV)Të punohet për edukimin e njeriut me frymën e vëllazërisë, do të thotë të krijosh elementin e stabilitetit e të zhvillimit shoqëror. Ashtu si të luftosh korrupsionin në fushën politike, do të thotë të rrënjosësh në ndërgjegjet parimin e drejtësisë. E shteti i Beninit po punon në të dy frontet - theksoi me kënaqësi Benedikti XVI, duke pritur në audiencë, në Vatikan, ambasadorin e ri të vendit afrikan, Komlanvi Teodor Loko, për paraqitjen e letrave kredenciale.

Monedha e Beninit u kujton çdo çast banorëve, tri vlerat, mbi të cilat është ndërtuar vendi e me të cilat dëshiron ta shkruajë historinë e vet: “Vëllazëri, Drejtësi, Punë”. Për Bendiktin XVI, këto tri fjalë përbëjnë një doracak të vërtetë për të përditshmen e njeriut e, njëkohësisht, edhe një burim frymëzimi. E pikërisht mbi këto tri fjalë e bazoi Ati i Shenjtë reflektimin e tij lidhur me gjendjen aktuale, në të cilën jeton ky komb i vogël i Afrikës perëndimore, ndërmjet Togos e Nigerisë, përballë Atlantikut. Papa vuri në dukje edhe vlerën e shenjtërinë e jetës njerëzore, e cila duhet të jetë në qendër të vëmendjes edhe në fushën ligjore:
“Shprehje konkrete e dinjitetit të barabartë të të gjithë nënshtetasve, vëllazëria është parim themelor e virtyt bazë për ndërtimin e një shoqërie, që ndriçohet nga drita e vërtetë, sepse krijon kushte për vlerësimin e të gjitha mundësive njerëzore e shpirtërore. Vëllazëria duhet ta shtyjë njeriun edhe në kërkimin e drejtësisë, mungesa e së cilës është gjithnjë arsyeja kryesore e tensioneve shoqërore e shkaku i shumë pasojave negative”.
I lutem Zotit - vijoi Papa - t’i bekojë përpjekjet e të gjithë atyre, që punojnë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi drejtësinë, paqen e njohjen e të drejtave të të gjithë anëtarëve të kombit. Por një ideal i tillë nuk mund të arrihet, pa bashkim e vëllazëri, pa dashuri e drejtësi, pa vlerësim të njeriut e të punës së tij. Krejt në kundërshtim me këtë, është përpjekja për përmbushjen e interesave personale, në dëm të së mirës së përbashkët. Është një sëmundje, që duhet luftuar me të gjitha forcat, sepse i bren nga brenda institucionet publike dhe pengon zhvillimin normal të njeriut. Duke u nisur nga këto parime, Papa u bëri thirrje politikanëve dhe të gjithë drejtuesve të botës ekonomike e shoqërore. Ju - pohoi Benedikti XVI - jeni si ndërgjegjja vigjilente, e cila siguron transparencën në strukturat e veta dhe etikën, që është shpirti i çdo shoqërie:
"Politikanët duhet të jenë të drejtë. Drejtësia shkon gjithnjë krah për krah me vëllazërinë. Është një faktor force dhe drejtpeshimi shoqëror, që u krijon banorëve të Beninit kushtet për të marrë pjesë në ndërtimin e shoqërisë, përmes pasurive të tyre njerëzore e natyrore, të jetojnë me dinjitet e të sigurojnë ardhmërinë e bijve të tyre”.
Drejtësia e puna për Papën janë themelore për zhvillimin e begatinë e Beninit, por edhe për t’u mësuar njerëzve një vlerë tjetër: atë të solidaritetit, siç e dëshmoi vendi afrikan me rastin e tërmetit në Haiti.
Papa kujtoi edhe shembullin e kardinalit Bernardin Gantin, që ndërroi jetë dy vjet më parë. Ky burrë i jashtëzakonshëm i Kishës – theksoi - nuk ishte vetëm bir fisnik i kombit tuaj – por edhe ndërtues i vërtetë urash ndërmjet kulturave e kontinenteve. Jam i sigurtë – vijoi Papa – se figura tij do të jetë shembull i shkëlqyer për shumë beninas, në mënyrë të veçantë, për të rinjtë. Ndërsa veprimtaria e tij kishtare – përfundoi Benedikti XVI – do t’i nxisë burrat e gratë e Kishës për një shërbim gjithnjë më bujar e plot përgjegjësi, për të mirën e vendit tuaj të dashur, i cili vitin e ardhshëm do të kremtojë 150-vjetorin e ungjillëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.