2010-05-28 17:30:16

Muzikë: Allevi do t’i dorëzojë Papës veprën kushtuar atë Mateo Riçit, S.J.


Me 29 maj, me rastin e audiencës së veçantë, në përkujtim të 400-vjetorit të vdekjes së atë Riçit, pianisti e kompozitori i shquar italian, Giovanni Allevi, i dorëzojë Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI, veprën e panjohur “Nën të njëjtin Qiell’, Kantatë për kor, solist e orkestër. Allevi e shkroi tekstin dhe muzikën e kësaj vepre, i frymëzuar nga mendimi i jezuitit të mirënjohur, rregulltari i parë katolik, intelektual e shkencëtar perëndimor, që jetoi në oborrin e perandorit kinez, në fillimet e 1600-tës. Teksti përqendrohet mbi konceptin e miqësisë e të bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve ‘të bashkuar nën të njëjtin qiell”.
Struktura narrative e Kantatës për solist, kor e orkestër – shpjegon kompozitori – realizohet me një zhvendosje simbolike, duke e pasuruar përmbajtjen tradicionale teologjike, të bazuar mbi lumnimin e Zotit, me konceptin bashkëkohor e global të paqes universale e të pranimit të larmive shumëkulturore. Çasti i reflektimit ka formën muzikore të një ninulle të ëmbël, zëdhënëse e shpresës, e dashurisë për fëmijën-simbol i njeriut të së ardhmes, të cilit i kushtohet melodia. Kantata është ndërtuar qëllimisht mbi shkallën pentatonike kineze, për të krijuar, kështu, një vepër komplekse, një urë muzikore ndërmjet Perëndimit e Lindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.