2010-05-27 16:36:04

Raporti Amnesti Internashional 2010. SHBA, Kina dhe Rusia ende nuk e njohin gjykatën penale ndërkombëtare.


(27.5.2010 RV)Thirrja drejtuar vendeve që nuk e kanë njohur ende gjykatën penale ndërkombëtare është mesazhi kryesor i raportit vjetor të Amnesti Internashional për 2010, ku nënvizohet “nevoja për drejtësi globale”. Raporti që u paraqit sot përbën një panoramë të gjendjes të të drejtave njerëzore nëpër botë.
Në këtë dokument Amnesti Internashional denoncon represionin, dhunën, diskriminimin dhe luftrat për pushtet që vazhdojnë të cënojnë jetën e të tjerëve. Ndër vendet që përmenden janë: Arabia Saudite, Siria, Tunizia, shtete këto që nuk i pranojnë kritikat. Ndërsa çështjet më të rëndësishme që përmenden janë: shtypja e dhunshme e protestave në Iran, dhuna në Birmani dhe në fund represioni kinez kundër atyre që sfidojnë shtetin.
Për fat të keq – shpjegon presidentja e Amnesti Internashionalit për Italinë, Kristinë Vajs – janë akoma të shumta vendet që përpiqen të pengojnë përparimin e drejtësisë ndërkombëtare. Mjaft të mendosh se 81 vende nuk e kanë ratifikuar ende statutin e gjykatës penale ndërkombëtare:
“Vendet e para të G20 – SHBA, Kina, Rusia – refuzojnë të njohin statutin e Gjykatës penale ndërkombëtare dhe vende të tjera të G20 si India, Indonezia, Arabia Saudite dhe Turqia nuk bëjnë ende pjesë në të.”

Por në raportin e këtij viti pasqyrohen edhe përparimet e bëra. Viti 2009, lexohet në këtë dokument ishte një vit historik përsa i përket drejtësisë ndërkombëtare, në të cilën janë bërë hapa domethënëse.

“Le të mendojmë vetëm për urdhërin e arrestimit për presidentin sudanez Al Bashir. Është hera e parë që Gjykata ndërkombëtare lëshon një urdhër të tillë për një president që është ende në post drejtues. Një tjetër sukses, për shembull, ka të bëjë me 40 vendet që kanë përfshirë në legjislacionin e tyre të brendshëm ndryshimet që mundësojnë fajësimin për krime kundër të së drejtës ndërkombëtare. Edhe ky është një përparim i ngadaltë, por që po ecën në drejtimin e duhur. Sidoqoftë njerëzit me pushtet në botë po përpiqen ta pengojnë dhe ta ndalojnë atë, ndërsa ne, përkundrazi, do të dëshironim që vendet – veçanërisht ato të G20 që pretendojnë të qeverisin botën – të ecnin përpara duke iu dhënë shembull të mirë edhe të tjerëve.”

Është e rëndësishme të pohohet, thotë Vajs, që asnjë vend në botë nuk mund të dalë mbi ligjin:

“Shtetet duhet të japin llogari për atë që bëjnë dhe duhet t’i lejojnë shtetasit që t’i drejtohen drejtësisë për të kërkuar të drejtat e veta, edhe ato ekonomike, shoqërore dhe kulturore.”







All the contents on this site are copyrighted ©.