Sot Kisha përkujtoi Shën Filip Nerin, krijues i Oratoreve.
(26.05.2010 RV)“Pipo i mirë”- kështu e quanin fëmijët e Romës së vjetër Shën
Filip Nerin, përkujtuar sot nga Kisha katolike. Shenjti, i lindur në Firence, por
bir në shpirt i Romës, jetoi në vitet 1500, duke ia kushtuar gjithë vetveten të rinjve
nevojtarë, për të cilët krijoi oratoret e themeloi, në vitin 1575, Kongregatën e Vëllezërve
të Oratorit. Por cila është e veçanta e këtij shenjti, që vijon të mbetet në kujtesën
e njerëzve si ‘Apostull i Romës”? Në mikrofonin tonë, atë Eduard Çerrato, Prokuror
i përgjithshëm i Konfederatës së Oratoreve, na e përshkruan kështu Shenjtin e rinisë
e të gëzimit:
Përgjigje:
- Filipi ishte meshtar e ajo që dëshmon në historinë e Kishës, është pikërisht
jeta meshtarake, e jetuar në lidhje të ngushtë me Ungjillin deri në atë masë sa t’i
linte pa mend bashkëkohësit e ta shtynte ndokend të shkruante për të: “Ia ndërroi
faqen Romës”. Dëshmoi, kështu, madhështinë e meshtarit katolik.
Pyetje:
- Tejet e fortë, lidhja e Shenjtit me të rinjtë nevojtarë, të cilëve u kushtoi
gjithë jetën…
Përgjigje: - Dashuria e Shën Filipit për të
rinjtë qe e fortë dhe e vazhdueshme, deri në atë pikë, sa që ata vijuan ta duan me
gjithë shpirt, edhe kur i kishte kapërcyer të tetëdhjetat, domethënë, nuk ishte më
i ri në moshë. Por ai mbeti gjithnjë i ri në shpirt. Më i ri se vetë të rinjtë, të
cilët shikonin tek ai një shok, një mik e mblidheshin rreth tij në orator, duke u
bërë dishepuj të Shenjtit, në shërbim të pajtimit. Pranë Filipit, të rinjtë gjenin
gjithë hapësirën, që kërkonte mosha e tyre shpërthyese, e jo vetëm në kuptimin fizik
të fjalës.
Pyetje: - Po sot, a ekziston ende Oratori?
Përgjigje:
- Ekziston ende. Madje mund të themi se kjo është edhe vepra kryesore e
Kongregatës. Oratori sot, ashtu si dje, ka disa seksione: njëri është ai rinor, por
është edhe Oratori në kuptimin më të gjërë të fjalës, domethënë i parë si shkollë
e jetës së krishterë, që të mëson, përmes predikimeve mbi fjalën e Zotit e nismave
të ndryshme, sidomos atyre muzikore, sepse muzika pati gjithnjë rëndësi të dorës së
parë në veprimtarinë baritore të Shenjtit. Filip Neri e quante muzikën “peshkatare
shpirtrash”, prandaj e vuri atë e artin, në përgjithësi, në shërbim të ungjillëzimit.
Pyetje:
- “Jini të mirë, po të mundeni”, u thoshte Filipi të rinjve. Por kjo shprehje
nuk duhet kuptuar si sinonim i mirësisë, në kuptimin relativist të fjalës?
Përgjigje:
- Krejt përkundra. E madje duhet kujtuar se e thoshte këtë në dialektin
e Romës: “state boni”!E e dimë mirë se në romanesk kjo do të thotë ‘të jeni të vendosur,
këmbëngulës’ për arritjen e qëllimeve. Në këtë porosi, mirësia duhet parë si impenjim
moral, përndryshe do të ishte shembull i relativizmit, i qëndrimit të njeriut, që
është i mirë me të mirën e me të keqen, që s’kundërshton kurrë, që pranon gjithçka,
me një mirësi që, në fund të fundit, nuk mund të quhet mirësi në kuptimin e plotë
të fjalës. “Jini të mirë” do të thotë “jini këmbëngulës”, përpiquni për të hyrë me
qetësi brenda kësaj udhe të edukimit. Nuk ka asnjë thërrime buonizmi në Shën Filip
Nerin.
Pyetje: - Shën Filipi është “profet i gëzimit”. Kështu e
quajti Gjon Pali II. Ç’do të thotë?
Përgjigje: - Do të thotë
‘ai që, në emër të Zotit, flet për gëzim, ai që, në emër të Zotit, mëson ç’është gëzimi’.
Gëzimi, që dëshmoi Shën Filipi, është pikërisht ai, për të cilin flet Jezusi në Ungjill,
kur thotë: “Po ju jap gëzimin tim! Po ju lë gëzimin tim”. E ky gëzim s’është tjetër,
veçse miqësia me Jezusin, është fryt i kësaj miqësie!
Pyetje: -
Atë Çerrato, cili është urimi juaj sot, kur Kisha kujton Shën Filipin? Përgjigje:
- Sivjet dëshiroj të kufizohem, në se mund të shprehemi kështu, ndonëse
nuk është aspak kufizim. Të kufizohem, pra, në Vitin Meshtarak, që po jetojmë. Uroj
që meshtarët të zbulojnë se besnikëria e tyre mund të jetë vetëm ajo, që i ka rrënjët
në besnikërinë e Krishtit ndaj dishepujve të vet. Filip Neri, thellësisht meshtar,
jo pa arsye paraqitet në art gjithnjë i veshur me paramentet meshtarake. Ç’ishte për
Shën Filipin Mesha shenjte, Kungimi, Shërbimi meshtarak? Ishte shpirti i tij! E këtë
uroj edhe unë: që ta gjejmë forcën e burimin e besnikërisë sonë, në besnikërinë e
Krishtit, ashtu si Filip Neri!