2010-05-26 16:39:54

Rritet tensioni ndërmjet dy Koreve


(26.05.2010 RV)Rritet tensioni ndërmjet dy Koreve për çështjen e anijes koreanojugore, që u mbyt nga Koreja e Veriut në Detin e Verdhë, më 26 mars. Seuli ka ndërmend ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa Piongjangu përgjigjet me pezullimin e marrëdhënieve diplomatike, me anullimin e marrëveshjes së mossulmimit dhe me përjashtimin e 2000 punëtorëve koreanojugorë, që punonin në një rajon të kufirit. Sot, ndodhej në Seul, sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, e cila mbështeti fuqimisht Korenë e Jugut dhe i bëri thirrje Piongjangut të ndalojë çdo lloj provokimi. Gjendja rrezikon të keqësohet, siç shpjegon në mikrofonin tonë, pedagogu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Torinos, Luigji Bonanate:RealAudioMP3
Më duket se gjithsesi, ajo që po ndodh këto ditë përkon ekzaktësisht me mësimet e manueleve teorike të marrëdhënieve ndërkombëtare. Të dyja palët po bëjnë pikërisht ç’bënin 60 vjet më parë: unë e ngre zërin, ti e ngre pak më tepër, në pritje që dikush të ndërhyjë për ta zgjidhur problemin. Dyshimi që kemi sot është nëse mbytja e korvetës koreanojugore ishte aksidentale apo e qëllimshme? Nëse është rastësi, nuk mund të shkojmë drejt rrezikut të konfliktit.
Gjendja ndërlikohet edhe nga fakti se pas 60 vjetësh, akoma nuk është përcaktuar ndonjë linjë kufiri në ujërat detare…
Pa dyshim. Nga pikpamja teknike, kushtet për ultimatum dhe për reagimin ndaj tij janë të gjitha. Çështja është se mund të vazhdonin fare mirë të jetonin në armëpushim. Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet ndërmjet dy Koreve ishin përmirësuar shumë. Punëtorët shkonin nga njëra anë te tjetra. Prandaj, dukej se ndarja ndërmjet dy vendeve do të shlyhej dalëngadalë. Në këtë moment, duhet të kthehemi në frymën e para vitit ’89: dy fuqi të mëdha që ndërmjetësojnë dhe ndihmojnë. 60 vjet më parë, ato ishin SHBA-të dhe Kina, sot janë Kina dhe SHBA-të.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.