2010-05-25 17:55:01

Spitali"Bambino Gesù" - “Krishti Foshnje”. Një çerek shekulli veprimtari kërkimore dhe mjekime.


Sot, më 25 maj, spitali pediatrik “Krishti Foshnje” kremton 25-vjetorin e njohjes si institut i shtrimit dhe i kurimit me karakter shkencor. Një çerek shekulli gjatë të cilit, ditë për ditë, aftësi dhe profesionalizëm ndërkombëtar janë derdhur së bashku në veprimtarinë kërkimore në fushën biomjekësore. Një ndërthurje e vazhdueshme kjo e diturive laboratorike dhe klinike për të përcaktuar diagnozat dhe terapitë më të mira për pacientët e vegjël. “Një shembull i mjekësisë efikase”, nënvizoi ministri italian i shëndetësisë Ferruço Facio, që mori fjalën gjatë festës së këtij institucioni. “Ajo që është realizuar nuk është bërë rastësisht, por duke ndjekur një plan manaxherial shumë të përpiktë. Kënaqësia më e madhe, është kur sheh se e gjithë kjo nuk është diçka e rastësishme dhe nuk bëhet për para. Ofrohen shërbime mjekësore të mira me një synim të përcaktuar qartë.” shtoi ministri Facio.
Spitali pediatrik “Krishti Foshnje” gjatë jetës së tij ka bërë kërkime të ndryshme duke filluar nga ato bazë deri tek transplantimet, nga laboratori tek shtrati i pacientit nëpërmjet një metode mjekimi të re, e cila vendos çdo fëmijë të sëmurë në qendër të vëmendjes së proceseve të diagnozës dhe të terapisë, me ndihmën e menjëhershme të arritjeve më të fundit në fushën kërkimore. Të një rëndësie të veçantë janë arritjet e fundit në fushën e gjenetikës dhe të sëmundjeve të rralla, të imunologjisë dhe të onkoematologjisë deri tek mjekësia që shfrytëzon zbatimin e modeleve matematike të llogarive të ndërlikuara, e që lejon gjetjen në mënyrë shkencore të kushteve që përcaktojnë mundësinë e shfaqjes së një sëmundjeje në të ardhmen, e madje edhe duke simuluar reagimin e organizmit ndaj trajtimeve të ndryshme terapeutike.







All the contents on this site are copyrighted ©.