2010-05-25 14:24:13

Shën Beda “Venerabile” - “i Nderuar", murg e dijetar i Kishës.


Sot me 25 maj Kisha katolike kremton Shën Bedën që njihet me atributin “Venerabile” - “i Nderuar” - meshtar murg e dijetar i Kishës.
Murgu i shenjtë e mësuesi i madh i Mesjetës, Beda lindi në Monkton të Jarrow - në Angli rreth vitit 672-673, vdiq në Jarrow, më 25 maj të vitit 735. Është pajtor i studiuesve.
Pak gjëra dihen për Bedën: nuk dihet kush ishin prindërit e tij e as data e saktë kur lindi. Dihet vetëm se ishte shtatë vjeç, kur iu besua Benediktinëve në kuvendin e Shën Pjetrit në Wearmouth, ku filloi mësimet e para, të cilat më pas i vijoi në kuvendin e Shën Palit në Jarrow, në kontenë e Durhamit, që të dyja qendra murgare, themeluar nga Shën Benedikti ipeshkëv, i pari që nisi të kujdesej për vogëlushin, që shpejt shprehu dëshirën të ndiqte rrugën e jetës rregulltare benediktine. Dihet se kur u shugurua për meshtar, ishte tridhjetë vjeç.
Pastaj jeta e Bedës zhytet në përsëri në heshtje. Ai nuk u bë as ipeshkëv e as abat: tërë jetën mësoi e dha mësim. Çlodhej vetëm kur lutej ose kur këndonte në korin e Kishës.
Studioi Biblën e dha mësimin e Shkrimit të Shenjtë, Biblën, duke shfrytëzuar gjithë diturinë e Etërve të Kishës. Arriti të shpikë një metodë personale didaktike ndërdisiplinore, që e shpjegon Biblën duke y mbështetur edhe tek autorët e lashtësisë pagane, gjë që e realizoi përmes njohjes së thellë të greqishtes së lashtë si edhe të arritjeve shkencore të kohës. Kujtojmë këtu komentet e tij mbi libra të ndryshëm të Biblës dhe librin e uratëve “Libellus precum”.
Shkruante vazhdimisht e veprat e tij nisën të përhapën në të gjitha kuvendet apo manastiret murgare e Evropës, që ishin qendra kryesore të kulturës. Beda shkruante mbi argumente thella, të vështira e të rëndomta. Mjafton të kujtojmë libërthin “De ortografia”, ose “Liber de loquela per gestum digitorum”, i famshëm gjatë tërë Mesjetës, sepse mësonte për t’i bërë llogaritë me gishta. Beda iu kushtua studimeve astronomike për përcaktimin e datës së kremtimit të Pashkëve, duke arritur deri në vitin 1063.
Murgjërve anglezë - murgu benediktin u dhuroi historinë e Kishës në Angli “Historia Ecclesiastica Gentis Anglorum”, ku ka një mori njoftimesh edhe nga jeta civile, qytetare, të cilat jo vetëm tregohen por edhe i nënshtrohen vështrimit kritik.
Beda meritoi që më të gjallë titullin “i Nderuar”. E me këtë titull do të kujtohej përgjithmonë, edhe pasi më 1899 Papa Leoni XIII e shpalli shenjt e dijetar të Kishës duke quajtur “lumen” jo vetëm i Kishës në Angli por edhe i Kishës universale. Mbeti një nga komunikatorët më të mëdhenj të diturisë në Mesjetën e vonë.
Dymbëdhjetë shekuj pas vdekjes, Koncili i Vatikanit II do ta shfrytëzonte mendimin e tij. Beda citohet në Kushtetutën dogmatike “Lumen Gentium” mbi Kishën dhe në dekretin “Ad Gentes” , mbi veprimtarinë misionare. Shenjti i madh dijetar vdiq në Jarrow, ku pat dhënë mësim për një kohë të gjatë, e tay edhe u varros. Por më vonë mbreti Eduardi Rrëfyes (1002-1066) e barti trupin e Shën Bedës në Katedralen e Durhamit.







All the contents on this site are copyrighted ©.