2010-05-25 15:48:12

Benedikti XVI dhe muaji marian: Virgjëra na fton ta shohim Jezusin me sytë e fesë


(25.05.2010 RV)RealAudioMP3 Muaji kushtuar Zojës po i afrohet fundit. Por akoma mbeten ditë për të përjetuar, sëbashku me Virgjërën Shenjte, afërsinë e Zotit. Sipas traditës, më 31 maj, Papa do t’i mbyllë kremtimet e muajit marian, në Kopshtet e Vatikanit. Por le të kujtojmë disa nga meditimet e Benediktit XVI mbi fenë e Shën Marisë, model për çdo të krishterë.

Në shkollën e Zojës, mësojmë edhe ne ta njohim praninë e Shpirtit Shenjt në jetën tonë, pati thënë Papa pikërisht në mbylljen e muajit të majit, në vitin 2008. Virgjëra, vazhdon Ati i Shenjtë, sheh me sytë e fesë veprën e Zotit në histori, prandaj, Magnificat-i i saj mbetet interpretimi më i vërtetë e më i thellë i historisë. Shën Maria sheh qartë se fronet e të pushtetshmëve të kësaj bote janë të gjithë të përkohshëm, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb, që nuk ndryshon e nuk bie. Benedikti XVI fton të krishterët ta imitojnë Zojën:
“Të mbajmë me vete të njëjtat ndjenja lavdërimi e falenderimi që Maria i drejton Zotit, të njëjtën fe e shpresë, të njëjtin lëshim të butë në duart e Provanisë Hyjnore. Ta imitojmë shembullin e saj të gatishmërisë dhe të bujarisë në shërbim të vëllezërve. Me të vërtetë, vetëm duke e pranuar dashurinë e Zotit e duke e kthyer jetën tonë në një shërbim bujar e pa interes ndaj të afërmit, do të mund t’i thurim këngë lavdi Hyjit” (Mbyllja e muajit marian, 31 maj 2008).
Papa ndalet në natyrën e zemrës së Shën Marisë, “model bamirësie për Kishën”. Është vetë Jezu Krishti, Ai që e shtyn Shën Marinë të shkojë me bujari drejt të afërmit në nevojë. Ai e ndihmon të kapërcejë gjithçka:
“Zemra e Marisë, në pajtim të përkryer me Birin hyjnor, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet në fe, në shpresë e në dashuri” (Mbyllja e muajit marian, 31 maj 2009).
Ne, thotë Papa, mund t’i drejtohemi Shën Marisë me anë të lutjes. Në veçanti, me Rruzaren, e cila na bën t’i përshkojmë etapat e jetës së Krishtit, në praninë e Zojës së Bekuar. Benedikti XVI nuk mugon të verë në dukje lidhjen e veçantë ndërmjet Shën Marisë, Shpirtit Shenjt e Kishës:
“Në ditën e Rrëshajve, Virgjëra Nënë duket sërish si Nusja e Shpirtit, si nënë universale për të gjithë ata që janë krijuar nga Zoti për fenë në Krishtin. Ja përse Maria është për të gjitha brezat, imazh e model i Kishës, e cila, sëbashku me Shpirtin Shenjt, ecën në kohë, duke pritur kthimin e lavdishëm të Krishtit: “Eja, o Zot, Jezus” (Mbyllja e muajit marian, 31 maj 2009).
Zoja, na kujton Papa, është e para që e ka pranuar Krishtin e prandaj është e mbushur me gëzim nga Shpirti Shenjt. Duke e ndjekur e duke e imituar, jemi të gjithë të thirrur ta jetojmë këtë gjendje hiri:
“Të pranojë Jezusin e t’ua çojë Atë të tjerëve është gëzim i vërtetë për të krishterin! Të dashur vëllezër e motra, ta ndjekim e ta imitojmë Marinë, këtë shpirt thellësisht eukaristik, e krejt jeta jonë do të bëhet Magnificat” (Mbyllja e muajit marian, 31 maj 2005).







All the contents on this site are copyrighted ©.