2010-05-24 17:43:09

Përfundoi ekspozimi i parë i Sindonës.


(24.05.2010 RV)Përfundoi, dje pasdite, në Solemnitetin e Rrëshajëve, ekspozimi i parë i Sindonës në mijëvjeçarin e tretë. Kryeipeshkvi i Torinos, kardinali Severino Poleto, kryesoi, në katedralen vendase, bashkëkremtimin përfundimtar të ipeshkvijve të Piemontit. Në fillim të ritit u lexua mesazhi i Papës drejtuar Hirësisë së Tij. Në këtë mesazh, Benedikti XVI kujtonte gëzimin e thellë shpirtëror, që ndjeu duke nderuar Pëlhurën e Shenjtë, gjatë vizitës së bërë vetëm pak ditë më parë në Torino e takimet e shumta, që pati me këtë rast. Në mënyrë të posaçme, ndalohej tek takimi entuziazmues me të rinjtë e ai, prekës, me të sëmurët, duke i falënderuar të gjithë besimtarët për dashurinë e thellë, me të cilën e pritën Pasardhësin e Shën Pjetrit. Por, të rikthehemi tek Mesha e kryesuar nga kardinali Poleto e, sidomos, tek homelia e këtij kremtimi.

Një homeli plot mirënjohje, pse pati fatin të shikojë këto gjashtë javë të ekspozimit, mrekullitë që bën Zoti në zemrën e njerëzve, por edhe plot me emocione të thella personale:RealAudioMP3
“Pashë edhe një herë, me emocion të madh, figurën e të kryqëzuarit të Sindonës e ia ngula sytë shenjave tronditëse të vuajtjes njerëzore, përballuar nga Jezusi në mundimet e në vdekjen e Tij. Vuajtje, e cila më foli për dashuri, për një dashuri të pafundme e personale, që u dhurohet të gjithëve, por edhe secilit prej nesh, me të njëjtën masë. Kjo dashuri e Krishtit të kryqëzuar, më mbështolli me një dritë të re, me dritën e ringjalljes së Zotit. Ai më foli. E dëgjova duke më thënë: “U ngjalla e jam gjithnjë me ty!”. E kjo më siguroi se mëkati im është falur e se edhe vdekja ime do të mundet nga lavdia e ringjalljes”.
Shikimi i kardinalit Poleto nuk mund të mos ndalohej edhe mbi fytyrat e turmës pa fund të shtegtarëve, që arritën këto ditë në Torino edhe që përtej oqeanit, përplot me dëshirën për ta parë, edhe pse për pak minuta, sy më sy, figurën e njeriut të dhimbjeve:
Pashë, skalitur mbi fytyrat e shumë shtegtarëve, edhe figurën e njerëzimit mbarë: njerëzimit të munduar (Passio hominis), që provon mbi gjymtyrët e veta, mundimet e Krishtit e prej tyre ringjallet e ngushëllohet; njerëzimit, në kërkim të një Fytyre, fytyrës së njeriut, që është fytyra e Zotit, fëtyra e Jezusit. Në Të gjindet forca për të ecur përpara me besimin, i cili lind nga ndjesia se Zoti të do vërtet e se bëhet njeri për të hyrë në errësirën tënde të tmerrshme, për të rrezatuar atje atë dritë, e cila na siguron se jeta jonë nuk është pa kuptim”.
Por, ç’do të ndodhë tani, pasi nga të pesë kontinentet ngarendën më se dy milionë vetë, për ta kundruar, ose thjesht për ta parë, këtë korp të munduar, e gjithsesi, plot paqe? Ç’do të ndodhë tani, kur Pëlhura e Shenjtë u rivendos në arkëzën e blinduar? Fjalët e fundit duket sikur i përgjigjen këtyre pyetjeve, ose më mirë të themi, duket se kanë për qëllim të tregojnë udhën, në të cilën duhet ecur:
“I lyp, sinqerisht, Zotit, hirin, që askush të mos e humbasë shpresën, të cilën Passio Christi mbolli në zemrat e shumë vëllezërve e motrave, të thirrur për të mbartur çdo ditë kryqe të rënda: Passio hominis – mundimet e njeriut. Zoti Jezus, për të cilin na flet Sindona, na lë në zemër sigurinë se duhet të shpresojmë, sepse ai na paraprin kurdoherë e kudo: në rrugën e Kalvarit, në mundimet e kryqit, në errësirën e thellë të vdekjes, por, mbi të gjitha, na paraprin në dritën e Pashkëve të ringjalljes e në lumninë përfundimtare, në të djathtën e Atit, ku, ashtu si na e ka thënë qartë, shkoi për të na përgatitur një vend”.
Torino shkëlqen sot, i ngrohur në shpirt nga rrezet e diellit të këtyre ditëve, i sigurtë në fe, i përforcuar fuqimisht në rrugën, që çon drejt vendit të parapërgatitur për të gjithë nga Jezusi!







All the contents on this site are copyrighted ©.