2010-05-24 15:21:37

Katolikët në politikë. Imzot Fizikela: koherentë në mesazh e në jetë


(24.05.2010 RV)Përfundoi të shtunën mbledhja e 24-t e përgjithshme e Këshillit Papnor të Laikëve, mbledhur në Romë për të diskutuar mbi temën “Dëshmitarë të Krishtit në bashkësinë politike”. Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit, një ditë më parë, Papa Benedikti XVI theksoi se sot më shumë se kurrë ndihet nevoja e të krishterëve të vërtetë në politikë, për të mbrojtur vlera si jeta, familja, solidariteti me të varfërit, liria, e mira e përbashkët. Pikërisht për përgjegjësinë e besimtarëve laikë në politikë folëm me kryetarin e Akademisë Papnore për Jetën dhe kapelanin e Dhomës italiane të Deputetëve, imzot Rino Fizikela:RealAudioMP3
Përgjegjësia e parë është vetëdija e qartë për momentin historik që po jetojmë dhe për urgjencat e këtyre viteve. Mendoj se politika duhet të reflektojë në dy fronte. Nga njëra anë, mbi formimin që u duhet dhënë brezave të rinj; duhet kuptuar se kur miratohet një ligj, ai pasohet njëkohësisht nga një ndikim kulturor i caktuar. Kjo është përmasa e parë, themelore. Nga ana tjetër, kemi edhe përmasën tipike, të veçantë, të përgjegjësisë për formimin në jetën politike. Nuk është normale, që, të paktën prej vitesh, në Itali mungojnë lëvizjet rinore brenda partive.
Sa i rëndësishëm është formimi i vazhdueshëm i krishterë për besimtarët e impenjuar në politikë?
I krishteri që impenjohet në politikë e di se roli i tij nuk është i thjeshtë e nuk mund të kuptohet si një punë apo zanat i zakonshëm. Shpresoj, që i krishteri ta ndjejë si vokacion impenjimin në politikë e që këtej, roli i tij të bëhet mision për të qenë dëshmitar i vërtetë. Gjëja e parë që i kërkohet një dëshmitari është transparenca: pra, jeta dhe mesazhi duhet të pasqyrojnë njëri-tjetrin. Për të qenë koherente, dëshmia duhet mbështetur nga përvoja e fesë dhe e përshpirtërisë.
Relativizmi mbretëron në shoqërinë e sotme. Sipas jush, politikanët e krishterë duhet të impenjohen më shumë për të mbrojtur jetën dhe familjen?
Nga kjo pikpamje, mendoj se duhet të impenjohen jo vetëm katolikët, por edhe të gjithë personat, që besojnë në vlerën e jetës e mendojnë se e vërteta mund të arrihet e mund të shndërrohet në kulturë e sjellje. Mbrojtja e jetës dhe e familjes i kapërcen kufijtë e përkatësisë politike, bën pjesë në kërkimin e së mirës së përbashkët. E rëndësishme është që në bazën e ligjeve të mos gjejë vend ai lloj relativizmi, që i konsideron dëshirat personale, si të ishin të drejta. Duhet kërkuar platforma e përbashkët, që na vjen nga ligji dhe e drejta natyrore.







All the contents on this site are copyrighted ©.