2010-05-24 16:44:16

Benedikti XVI priti presidentin e Moldovës ad interim


(24.05.2010 RV)Po sot, Benedikti XVI priti në audiencë kryetarin e Parlamentit, president ad interim i Republikës së Moldovës, Mihail Ghimpu. Pas takimit me Papën, presidenti i Moldovës bisedoi edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe me Imzot Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet.
Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u fol kryesisht për situatën në vend, duke uruar që çdo pengesë të kapërcehet me rrugën e dialogut. U njoh kontributi pozitiv i Kishës katolike në Moldovë, në ndihmë të popullsisë e u vlerësua lart dialogu frytdhënës ndërmjet Kishës e autoriteteve të vendit. Së fundi, u shkëmbyen këndvështrime mbi temat aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërmjet të cilave, tema e identitetit kulturor e fetar të kontinentit evropian. Kujtojmë se Moldavia, zyrtarisht Republika e Moldovës, është shtet i Evropës lindore. Me shtrirje territoriale ndërmjet Rumanisë e Ukrainës, numëron 4. 320. 490 banorë. Pas një historie të trazuar, me kalime nga Rumania në Bashkimin Sovjetik, më 27 gusht 1991 këputi lidhjet me vendin e sovjetëve, për t’u shpallur vend i pavarur, republikë parlamentare e shtet asnjanës.







All the contents on this site are copyrighted ©.