2010-05-23 19:37:27

Benedikti XVI në Solemnitetin e Rrëshajëve: Shpirti Shenjt e bashkon Kishën duke ruajtur ndryshimet, Babeli e imponon kulturën e bashkimit


(23.05.2010 RV)Kisha nuk e imponon bashkimin, ashtu siç bën modeli i Kullës së Babelit. Kisha është një dhe e shumëllojshme, sepse bashkimi në Shpirtin Shenjt tregohet përmes pluralizmit të mirëkuptimit. Kështu tha Papa Benedikti XVI sot paradite, në Meshën e kremtuar në Solemnitetin e Rrëshajëve në Bazilikën e Vatikanit.

Në ditën e Rrëshajëve, Kisha lutet me forcë për dhuratën e Shpirtit Shenjt, një dhuratë – pohoi Papa – që Jezusi ia ka kërkuar e ia kërkon vazhdimisht Atit për miqtë e vet. Kjo është dhurata e parë e kryesore, që Krishti ka nxjerrë me Ngjalljen e Ngjitjen e Tij në Qiell. Por cilat janë veprat e Shpirtit Shenjt?
“Aty ku ka vuajtje të padurueshme e mospjesëmarrje, Ai krijon bashkim e mirëkuptim. Fillon një proces ribashkimi ndërmjet pjesëve të familjes njerëzore, të ndara e të shpërndara; personat, shpesh të reduktuar në individë në konkurencë, apo në konflikt, sapo marrin Shpirtin e Krishtit, ia hapin zemrën përvojës së bashkimit, që mund t’i përfshijë deri në atë pikë sa t’i shndërrojë në një organizëm të ri, në një subjekt të ri: Kisha. Ky është efekti që ka vepra e Zotit: bashkimi, prandaj bashkimi është shenjë njohjeje, “kartëvizita” e Kishës përgjatë historisë së saj universale”.
Kisha – nënvizoi Benedikti XVI – që nga dita e Rrëshajëve “i flet të gjitha gjuhët”; është njëkohësisht “një dhe e shumëfishtë”, pasi është ndërtuar mbi përmasën e dyfishtë të “bashkimit e të universalitetit”. Që këtej rrjedh kriteri praktik dallues i jetës së krishterë:
“Kur një person apo bashkësi mbyllet në mënyrën e vet të mendimit e të veprimit është shenjë që largohet nga Shpirti Shenjt. Rruga e të krishterëve dhe e Kishave të veçanta duhet të konfrontohet gjithnjë me atë të Kishës, që është një e katolike, dhe të harmonizohet me të. Kjo nuk do të thotë se bashkimi i krijuar nga Shpirti Shenjt është ndonjë lloj barazimtarizmi. Ky i fundit s’është tjetër veçse modeli i Kullës së Babelit, pra i imponimit të kulturës së bashkimit, që mund ta quajmë “model teknik”. Me të vërtetë, Bibla na thotë (shih Zan 11,1-9) se në Kullën e Babelit të gjithë flisnin një gjuhë të vetme. Ndërsa në Rrëshajë, Apostujt flasin me gjuhë të ndryshme, por secili e kupton mesazhin në gjuhën e vet. Bashkimi në Shpirtin Shenjt na tregohet në pluralizmin e mirëkuptimit”.
Kisha sheh përtej horizonteve gjeografike e kapërcen mure e barriera:
“Kisha nuk mbetet kurrë në burgun e kufijve politikë, racorë dhe kulturorë; nuk mund të ngatërrohet me shtetet e as me Federata shtetesh, sepse bashkimi i saj është i një lloji të ndryshëm dhe ka për qëllim të përshkojë të gjithë kufijtë njerëzorë”.
Papa kujtoi se në ditën e Rrëshajëve, Shpirti Shenjt shfaqet si gjuhë zjarri dhe u jep dishepujve zellin e zjarrtë të Hyjit për t’ia përtërirë faqen tokës:
“Sa i ndryshëm është ky zjarr nga ai i luftrave dhe i bombave! Sa i ndryshëm është zjarri i Krishtit, që përhapet nga Kisha, në krahasim me zjarret e ndezura nga diktatorët e çdo epoke, edhe në shekullin e kaluar, që lënë pas vetes shkrumb e hi. Zjarri i Hyjit, zjarri i Shpirtit Shenjt është ai i kaçubes që ndizet, pa u djegur (shih Dal 3,2). Është flakë që djeg, por nuk shkatërron, madje, duke u përhapur bën të dalë në pah pjesa më e mirë dhe më e vërtetë e njeriut, forma e tij e brendshme, thirrja e tij për të vërtetën e dashurinë”.
Është zjarr që shndërron, vazhdoi Benedikti XVI. Në fakt, duhet të konsumojë diçka nga njeriu, duhet të djegë skoriet që e korruptojnë dhe pengojnë marrëdhëniet e tij me Zotin e me të afërmin. Ky efekt i zjarrit hyjnor, theksoi Papa, na frikëson, pasi nuk duam të digjemi, duam të mbetemi si jemi:
“Kjo varet nga fakti se shpesh jeta jonë ka si bazë logjikën e pasjes, të zotërimit e jo të dhurimit. Shumë njerëz besojnë në Zotin dhe e admirojnë figurën e Jezu Krishtit, por kur u kërkohet atyre të humbin diçka nga vetvetja, atëherë tërhiqen, kanë frikë nga kërkesat e fesë. Kemi frikë se mos humbasim diçka të bukur, me të cilën jemi lidhur: kemi frikë se ndjekja e Krishtit na privon nga liria, nga përvoja të caktuara, nga një pjesë e vetvetes. Nga njëra anë, duam të rrimë me Jezusin, ta ndjekim nga afër, e nga ana tjetër, kemi frikë për pasojat”.
Papa përsëriti thirrjen që Jezu Krishti ua drejtoi dishepujve të vet:
“Mos kini frikë’. Si Simon Pjetri e të tjerët, duhet të lejojmë që prania dhe hiri i Tij të na e shndërrojnë zemrën, e cila varet gjithnjë nga dobësitë njerëzore. Duhet ta kuptojmë se të humbim diçka, madje edhe vetveten për Zotin e vërtetë, Zotin e dashurisë e të jetës, në të vërtetë është fitim, është plotësim i jetës. Kush i beson Jezu Krishtit eksperimenton qysh në këtë jetë paqen e gëzimin e zemrës, që bota nuk mund ta dhurojë e nuk mund as ta marrë, pasi është dhuruar nga Zoti. Ia vlen pra, të prekesh nga zjarri i Shpirtit Shenjt!”
Dhimbja që sjell kjo është e nevojshme për shndërrimin tonë, theksoi Papa. Ky është realiteti i kryqit, misteri, pa të cilin, nuk do të ekzistonte krishterimi. Benedikti XVI e përfundoi homelinë pikërisht me një lutje drejtuar Shpirtit Shenjt:
“Eja o Shpirt Shenjt! Ndize në ne zjarrin e dashurisë tënde! E dimë se kjo është një lutje e guximshme, me të cilën kërkojmë të prekemi nga flaka e Hyjit; por e dimë edhe se kjo flakë – e vetëm ajo – ka fuqi të na shpëtojë. Nuk duam që për të mbrojtur jetën tonë, të humbim jetën e amshuar që Zoti dëshiron të na dhurojë. Kemi nevojë për zjarrin e Shpirtit Shenjt, sepse vetëm Dashuria shëlbon. Amen”. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.