2010-05-22 12:23:15

Të jetohen Rrëshajët përvojë gjithnjë e re feje:reflektim i Atë Raniero Kantalamesës.


Të jetohen Rrëshajët si përvojë gjithnjë e re:reflektim i Atë Raniero Kantalamesës. Për solemnitetin e Rrëshajëve e për mënyrën e përkimit të elementit karizmatik me atë institucional në Kishë, na flet Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë papnore. Ta ndjekim reflektimin:


Përgjigje: - Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë përvjetorë, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Shenjti numëronte në radhë të parë Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri.


Pyetje: - Shpirti Shenjt e përtërin vazhdimisht zemrën e besimtarëve. Si mund t’i kërkojmë ndihmë në dëshmimin e përditshëm të Ungjillit?

Përgjigje: - Besoj se liturgjia na jep këshilla të mira, posaçërisht na krijon raste të mira për të dhënë dëshmi. Për shembull, kush thotë Liturgjinë e Orëve, e di se ora e tretë, që kremtohet në mëngjes, na kujton gjithnjë Rrëshajët. E pastaj secili duhet të ketë mënyrën e vet të veçantë. Për shembull, unë them çdo ditë rreshtin e parë të ‘Veni Creator’: “Eja, Shpirt Krijues, mbushe zemrën e besimtarëve!” Do të ishte mirë të ndalemi paksa e të pyesim veten ç’ do të thotë vajosje apo mirosje me Shpirtin Shenjt. Vajosje me Shpirtin Shenjt do të thotë të pranojmë që Shpirti Shenjt të veprojë në shpirtin tonë, të veprojë përmes fjalëve tona, vendimeve tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.