(22.5.2010 RV)Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve ‘C’ Dëgjues
të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën
e Zotit të dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike
të Liturgjisë Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Zbritjes së Shpirtit
Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull: që nga ajo ditë, historia e njerëzimi
ka një hov të ri, një shtytje të re, një jetë të re. Kanë kaluar 50 ditë nga
solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit
Zot na i ka dhuruar: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor e që në Pagëzim
na është dhuruar në zemrat tona, në mënyrë që të mund të ecim e të jetojmë sipas Shpirtit
të Zotit e t’i mishërojmë vepra e tija në jetën e në marrëdhëniet tona të përditshme
me tjerët. Festa e Rrëshajëve, festa e ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt
shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë
të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Pra, nga kjo ngjarje, Shpirti Shenjt
Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt, më intim me ne, se
sa ne jemi me veten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron
se Zoti nuk na braktis kurrë, sepse Ai është miku e shoku i përhershëm dhe i përjetshëm
i udhës sonë në jetë. Është Shpirti Shenjt Zot ai që na jep kuptimin e ri të misterit
të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister Hyjnor. Është Shpirti
Shenjt ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet e kezistencës në dritën e fesë, në
fenë e Krishtit që është dhuratë e tij Me kremtimin e solemnitetit të festës së
Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e rëndomtë liturgjike
gjatë vitit nën udhëheqjen e Shpirtin Shenjt Zot.Këtu mund të dëgjoni programin
kushtuar Fjalës së Zotit të solemnitetin të Rrëshajëve..........
Liturgjia e Fjalës
Leximi
i parë Vap 2, 1-11
Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajët i japin
këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajëve është
e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruajnë shfaqjen e Hyjit mbi malin Sinaj. Por
shpallin një liri më të vlefshme dhe që zgjat: lirinë e Shpirtit që ka ringjallur
Jezu Krishtin.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur erdhi
dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas,
u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë
shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë
e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt
dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të
shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm,
të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi
një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën
e vet. Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin,
a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon
duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të
Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit,
të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë,
kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të
Hyjit në gjuhët tona amtare.”
Fjala e Zotit.
Psalmi 104
Plot
është toka me Shpirtin tënd, o Zot. --- --- --- Bekoje, shpirti im, Zotin! O
Zot, Hyji im, sa i madh je! Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Plot është
toka me krijesat e tua. --- --- --- Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, dhe
kthehen në pluhur përsëri. Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen, dhe
e rinon fytyrën e dheut. --- --- --- E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, u
gëzoftë Zoti në veprat e veta! I pëlqeftë Zotit kënga ime, kënaqjen time e kam
vënë në Zotin! --- --- ---
Leximi i dytë Rom 8, 8-17
Shën Pali na
fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim me vdekjen
dhe ringjalljen e Zotit, të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoizmit, të
pranojmë mënyrën e jetesës së Krishtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje dhe
angazhimi.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër,
ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën
ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon
në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti
është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë
për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjallli nga të vdekurit Jezusin
banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe
trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Këndej, o vëllezër,
ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse,
në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe
se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.
Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni
marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin
që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti
Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë,
atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin,
sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të.
Fjala
e Zotit.
Ndjekësorja
O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne, e
prej qiellit derdh mbi ne rrezet tua plot me dritë.
Eja, o Atë, për nevojtarë, eja,
ti n’dhanti bujar, eja, ti që mendjet shndrit.
Ti n’ngushtica ngush’llim
bjen, ti ndër zemra si mik vjen, t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.
N’mund
e djersë ti je pushim, n’vapë e luftë ti je freskim, lot ti terë, zemrat ngushllon.
Dritë
Hyjnore, plot shejtni, shndritnai mendjet e n’dashuri kalle flakë kënd n’ty
shpreson. Ku s’je ti, gjithçka dështon n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron që
t’jetë shenjte, si ti don.
Njollat hiq, dangat pastro, n’shpritra tanë hiret
rigo, varrët e mëkatit na i shero.
Jepna
ne që n’ty besojmë, jepna ne që n’ty shresojmë, shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.
Mundin
tonë ti na e shpërble, n’mëkat me vdekë ti mos na le, bën me ty n’amshim t’lumnojmë.
ALELUJA,
aleluja. Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze
në ta zjarrin e dashurisë sate. Aleluja
Ungjilli Gjn 14, 15-16.23-26
Shpirti
Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa i shtuar asgjë fjalës së Birit
të Atit, u shpall Ungjillin e Krishtit të krishterëve të të gjitha kohrave. Ai edhe
sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë e përgjithmonë, duke zbuluar
edhe realitetet e ardhshme të filluara me ringjalljen e Zotit.
Leximi i
Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të
vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe
Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë. Nëse ndokush
më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai
do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk
është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova
me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do
t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.”
Fjala e Zotit.