2010-05-21 17:35:59

Papa në plenaren e shekullarëve: “Kemi nevojë për politikanë të krishterë koherentë, të gatshëm për dialog e bashkëpunim”.


(21.05.2010 RV)“Ndjehet nevoja për politikanë vërtetësisht të krishterë” – këtë theksoi sot Benedikti XVI, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në asamblenë plenare të Këshillit Papnor për Laikët, mbledhur këto ditë në Romë për të shkëmbyer mendime mbi temën: “Dëshmitarë të Krishtit në bashkësinë politike”. Papa ripohoi se është e nevojshme të promovohen vlerat, për të cilat flitet në Doktrinën Shoqërore të Kishës, si jeta, familja, solidariteti me të varfërit, liria, mbrojtja e pasurisë së përbashkët, pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë në shoqëri.
Nga ana e të pranishmëve, Papën e përshëndeti kardinali Stanislao Rilko, kryetar i dikasterit papnor.

“Të krishterët nuk kërkojnë hegjemoni politike, as kulturore, por impenjohen në të dy krahët, me bindjen se Krishti është guri i themelit në çdo ngrehinë njerëzore”: këtë nënvizoi Benedikti XVI, duke kujtuar, më pas, se ndjehet fort nevoja për shekullarë- dëshmitarë të Ungjillit në të gjitha veprimtaritë që kryejnë e në të gjitha mjediset, ku jetojnë e punojnë:
“U takon besimtarëve laikë të dëshmojnë në jetën personale e familjare, në jetën shoqërore, kulturore e politike, se feja krijon kushtet për ta lexuar në mënyrë të re e të thellë realitetin e edhe për ta shndërruar atë; se shpresa e krishterë e zgjëron horizontin e kufizuar të njeriut dhe e çon atë drejt lartësisë së vërtetë, drejt Zotit; se e vërteta, e thënë me dashuri, është forcë e madhe, e aftë për t’ia ndryshuar faqen botës; se Ungjilli është garanci lirie e kumt çlirimi”.
Më pas vuri në dukje se parimet themelore të Doktrinës Shoqërore të Kishës janë tejet aktuale, me vlerë të veçantë për hapjen e rrugëve të reja të zhvillimit, në shërbim të çdo njeriu. Fjalë këto, që u pasuan nga nxitja e fuqishme:
“U takon akoma besimtarëve shekullarë të marrin pjesë gjallërisht në jetën politike, në përkim gjithnjë më të plotë me mësimet e Kishës, duke luftuar së bashku për mbrojtjen e të njëjtave ideale, në dialektikën demokratike e në kërkim të përhershëm të mirëkuptimit me të gjithë ata, që e kanë për zemër mbrojtjen e jetës e të lirisë, të së vërtetës e të familjes; që janë gjithnjë solidarë me nevojtarët e në kërkim të vazhdueshëm të së mirës së përbashkët”.
Duke kujtuar paraardhësit, Papa pohoi se politika është fushë shumë e rëndësishme e ushtrimit të dashurisë së krishterë. Kërkon nga të krishterët impenjim të fuqishëm në shërbim të bashkëqytetarëve, për sigurimin e një jete më të mirë në të gjitha kombet e për një prani më të frytshme në selitë e në programet e bashkësisë ndërkombëtare:
“Kemi nevojë për politikanë vërtetësisht të krishterë që, para së gjithash, të jenë dëshmitarë të Ungjillit në bashkësinë civile e politike. Kjo detyrë, që duhet mirëkuptuar në veprimtarinë edukative të bashkësisë kishtare, kërkon forma të reja shoqërimi e mbështetjeje nga ana e Barinjve”.
Pjesëmarrja e të krishterëve në shoqata e në lëvizje – vijoi Papa – mund të jetë një shkollë e mirë për këta dishepuj e dëshmitarë, të mbështetur nga pasuria karizmatike, komunitare, edukative e misionare, tipike për këtë realitet. Kohët në të cilat po jetojmë – reflektoi Benedikti XVI – shtrojnë para nesh një mori problemesh të mëdha e të ndërlikuara. Çështja shoqërore është bërë tashmë edhe çështje antropologjike.
Kështu u shpreh Benedikti XVI e, në vijim, theksoi rrezikun e përhapjes së relativizmit të turbullt kulturor, të individualizmit utilitaristik e të hedonizmit, që shikon vetëm dobinë e kënaqësinë vetjake, pa pyetur fare për të tjerët, gjë që e dobëson demokracinë dhe krijon kushtet e përshtatshme për sundimin e pushteteve të forta, të cilat mund ta dredhojnë rrugën e kësaj demokracie:
“Duhet rifituar e rigjallëruar dija e vërtetë politike. Politikani duhet të jetë kërkues në veprimtaritë, që kanë të bëjnë me kompetencën e tij; t’u shërbejë me vështrim kritik kërkimeve në shkencat humane; të përballojë realitetin në të gjitha aspektet, duke i kapërcyer ngushtimet ideologjike ose pretekstet utopike”.
Më tej, politikanët duhet të jenë gjithnjë të gatshëm për dialog e bashkëpunim, duke pasur mirë parasysh se politika është edhe art i ndërlikuar i drejtpeshimit ndërmjet idealeve e interesave. Gjithsesi – kujtoi Ati i Shenjtë – nuk duhet harruar se kontributi i të krishterëve është vendimtar, vetëm në se inteligjenca e fesë bëhet inteligjencë e realitetit, kyç gjykimi e shndërrimi. Duhet bërë një revolucion i vërtetë dashurie – përfundoi Papa. E ky revolucion duhet të jetë vepër e breznive të reja, të thirrura për një impenjim shoqëror e politik, që nuk bazohet mbi ideologjitë ose interesat e pjesëshme, por mbi dëshirën për t’i shërbyer njeriut dhe së mirës së pëbashkët, në dritën e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.