Lirimi i të burgosurve politikë, në qendër të takimit të barinjve të Kishës kubane
me presidentin Raul Kastro.
(21.05.2010 RV)“Ngjarje tejet pozitive, që përbën një të re vërtetë të rëndësishme
për Kubën”: kështu e quajti dje kardinali Xhejm Ortega Alamino, kryeipeshkëv i Havanës,
gjatë një konference shtypi, takimin e rëndësishëm të barinjve të Kishës kubane me
presidentin Raul Kastro, mbajtur të mërkurën e kaluar. E pranishme, edhe Karidad Diego,
kryetare e zyrës për marrëdhëniet fetare pranë Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste
kubane. Një takim i tillë zyrtar e solemn, nuk ishte mbajtur prej shumë vitesh. Kardinali
Ortega shpjegoi se gjatë bisedës, që zgjati katër orë, u prek kryesisht problemi i
të burgosurve politikë, për të cilët Kisha kërkon lirimin e menjëhershëm. Ishte thjeshtë
dialog e bisedim, jo aleancë, e aq më pak, kompromis – sqaroi kryeipeshkvi Ortega,
duke shpjeguar se është detyrë e Kishës të ndërmjetësojë e të pajtojë, duke pasur
mirë parasysh respektimin e lirisë fetare të garantuar nga Kushtetuta e të autonomisë
së Kishës nga Shteti. Pra, në këtë rast, Kisha u bë ndërmjetësuese, në një bashkëbisedim
tejet të rëndësishëm e në një botë, ku nuk duhet të ketë njerëz, që flaken në qeli,
thjeshtë sepse mendojnë ndryshe nga regjimi. Besojmë se një realitet i tillë nuk duhet
të jetë shlyer nga kujtesa e shqiptarëve, që vuajtën më se një gjysëm shekulli nën
një regjim, i cili bazohej pikërisht mbi zhdukjen fizike e mbi rrafshimin moral të
kundërshtarëve. Duke e pasur parasysh këtë paralelizëm, për hollësira, pyetëm kolegun
tonë, Luis Badila, specialist për çështjet latino-amerikane, që e shikon këtë
ndërmjetësi të Kishës si shumë pozitive:
Përgjigje: - Më duket
se kjo është gjëja më e rëndësishme, e dje, kardinali Ortega, në konferencën e tij
të shtypit, e nënvizoi disa herë: po njihet roli i Kishës në kontekstin e shoqërisë
kubane. Gjë e padëgjuar, kjo, sepse nuk ka ndodhur asnjëherë, deri më sot. Duhet
kujtuar se ipeshkvijtë janë takuar shpesh me autoritete të larta të vendit, në pritjet
diplomatike, por tepër rrallë, për të mos thënë kurrë, me autoritetet më të larta
të shtetit. Fakti që u thirrën nga presidenti, që biseduan për disa orë e që Kishës
iu kërkua të ndërmjetësojë në çështjen më kritike, atë të të burgosurve politikë,
është njohje zyrtare, përfundimtare - që arrin pas pesëdhjetë vjetësh – e që pohon
zyrtarisht njohjen e Kishës, mendimin se kjo Kishë ekziston, vlen, madje është shumë
e rëndësishme.
Pyetje: - Pra mund të shpresojmë se bota do të ketë
kënaqësinë të shikojë edhe një vend tjetër vërtetë të lirë, pa të burgosur politikë?
Përgjigje:
- Lidhur me këtë, kardinali Ortega ishte tejet i saktë. Tha se është vetëm
fillim i një bisede: “Hapëm një dialog, e dimë në ç’drejtim duhet punuar. Duhen pritur
javët e ardhshme, ose ndoshta ditët e ardhshme - e kujtojmë këtë, sepse njëri nga
të burgosurit po bën grevë urie, që ia vë në rrezik jetën – me besimin se Kisha do
ta gjejë rrugën për të dalë nga kjo situatë, duke siguruar lirimin e të burgosurve
politikë, sot për sot rreth 200-240 vetë, e natyrisht, edhe shpëtimin e jetës së atyre,
që janë në grevë urie.
Pyetje: - Dje kardinali Ortega e quajti
dialogun – “emri i ri i paqes”. Si mund ta interpretojmë këtë mendim, në realitetin
e sotëm kuban?
Përgjigje: - Sipas meje, është themelore,
çështje kyçe. Problemi kryesor i shoqërisë kubane, ndërmjet shumë e shumë problemeve
të tjera, është se nuk ka komunikim ndërmjet sektorëve të ndryshëm shoqëror, ndërmjet
shoqërisë, popullit e autoriteteve. Kardinali mendon – e këtë e ka thënë tri javë
më parë – se gjëja kryesore në këtë çast është t’u jepet të gjithëve mundësia për
të biseduar, për të folur lirisht, për të shpehur mendimin si e shikojnë të ardhmen
e vendit. E edhe për t’u dëgjuar. Pa dialog nuk mund të ketë zgjidhje të problemeve,
nuk mund të kapërcehen kontradikat ndërmjet forcave të ndryshme, vendi nuk mund të
ketë përparim, as paqe. E nuk duhet arritur deri në atë pikë – siç shprehet kardinali
Ortega – sa të gjinden rrugëzgjidhje vetëm atëherë, kur janë fare të kota e nuk i
shërbejnë më askujt.