2010-05-21 19:29:38

Jepet njoftimi për krijimin e qelizës së parë artificiale, që mund të riprodhohet


(21..05.2010 RV)E çuditi botën shkencore lajmi, botuar dje nga revista ‘Shkenca”, për qelizën e parë artificiale, ndërtuar në laborator, që është e aftë të ndahet e të shumëzohet, si çdo qelizë tjetër e gjallë. Rezultati u arrit në SHBA, pranë Institutit të gjenetistit Craig Venter. Kryetari i nderit i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Elio Sgreçia, pohoi, në mikrofonin e Radio Vatikanit, se nuk bëhet ende fjalë për krijimin e një jete artificiale, por për një manipulim, për një shndërrim. Progres ky - shtoi – që gjithsesi u kujton protagonistëve të këtij kërkimi shkencor se nuk duhet ta harrojnë përgjegjësinë e tyre. Por cili është rezultati real i eksperimentit të përfunduar me sukses nga grupi amerikan, kryesuar nga Venter? Përgjigjet gjenetisti Bruno Dalapikola, drejtor shkencor i Spitalit të “Krishtit Fëmijë” në Romë:

Përgjigje: - Origjinaliteti i punës së tij, është origjinalitet i gjithë grupit: bëhet fjalë për krijimin, së pari, të një kromozome artificiale dhe aftësisë së saj për t’u riprodhuar. Duhet pasur parasysh se kjo nuk ka të bëjë fare me idenë se ndokush mendon të krijojë organizma shumëqelizore kafshësh a njerëzish. Qelizat, realizuar nga Craig Venter, janë njëshe. Teorikisht kanë mundësinë për të kryer funksione të shumta, por mbeten, sigurisht, të kufizuara në botën njëqelizore.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për arritjen e re, parë në këndvështrimin etik?

Përgjigje: - Rëndësi ka të mos krijohet ndonjë gjë, që nuk është në ndihmë të njeriut, por kundër tij. Ky është i vetmi problem etik. Unë – e përsëris – në këtë çast shoh rikthimin e mundshëm të disa sëmundjeve, të njohura nga njerëzmi, i cili mund të ketë dobi nga kjo arritje. Në këtë kuptim besoj se etikisht janë të pranueshme eksperimentet e këtij tipi. Nuk do të jenë më të pranueshme, në çastin kur të bëhet ndonjë gjë, që është kundër njeriut.

Pyetje: - Pra mund të pohojmë se nuk ka kurrfarë rreziku në fushën e eugjenetikës?

Përgjigje: - Nuk mendoj për eugjenetikën, por për krijimin e baktereve, që kanë për qëllim shkatërrimin e njerëzimit. Ky është problemi i vetëm e konkret, që shikoj në këtë eksperiment.







All the contents on this site are copyrighted ©.