2010-05-21 17:35:22

Benedikti XVI: “Kumtimi i Ungjillit, gjithnjë më urgjent; provë e vërtetësisë së misionit është edhe persekutimi”.


(21.05.2010 RV)Sot është edhe më urgjente e më e nevojshme t’ia kumtosh Ungjillin botës; asnjë populli nuk duhet t’i mungojë drita e hiri i Krishtit: Papa e nënvizoi me forcë këtë urgjencë, në takimin me pjesëmarrësit e asamblesë plenare të Veprave Papnore Misionare. Benedikti XVI konsideroi edhe persekutimin, si provë, që dëshmon sa i vërtetë është misioni.
Mision i pakufi, ky i ungjillëzimit – pohoi Papa - posaçërisht në kohët tona, që karakterizohen nga mungesa e mendimit refleksiv dhe sapiencial e nga një humanizëm, që e përjashton Zotin. Prandaj është gjithnjë më urgjente e më e nevojshme që problemet e reja, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, të ndriçohen me Dritën e Ungjillit, i cili nuk ndryshon kurrë! Kumtimi i Krishtit, të vdekur e të ringjallur – shtoi Papa – është një shërbim tejet i çmuar, që Kisha mund t’ia ofrojë njerëzimit:
Ne ekzistojmë për t’u treguar njerëzve Zotin. E vetëm atje, ku shihet Zoti, nis vërtet jeta. Vetëm kur e takojmë Zotin e gjallë, në Krishtin, ne mësojmë ç’do të thotë jetë. Nuk ka gjë më të bukur se të takohesh me Krishtin, të pushtohesh nga Ungjilli. S’ka gjë më të bukur sesa ta njohësh Jezusin e t’u tregosh edhe të tjerëve ç’ mrekulli është miqësia me Të. (Homelia për fillimin e Papnisë, 24 prill 2005)".
Misioni për t’ia kumtuar Ungjillin mbarë popujve – vijoi Papa - është gjykim kritik mbi shndërrimet planetare, që e kanë ndryshuar rrënjësisht kulturën e njerëzimit, është thirrje për lirinë e bijve të Hyjit, për të ndërtuar, kështu, një shoqëri më të drejtë e më solidare, e cila të përgatit për jetën e amshuar. Të vetëdijshëm se edhe persekutimi është provë e vërtetësisë së misionit tonë apostolik:
“Kush merr pjesë në misionin e Krishtit, duhet të përballojë në mënyrë të pashmangshme turbullime, kundërshtime, vuajtje, sepse ndeshet me rezistencën e pushteteve të kësaj bote. E ne, ashtu si Shën Pali Apostull, nuk kemi armë tjetër, veç fjalës së Krishtit e Kryqit të tij. Vetëm Kryqi është vërtetë yni! (cfr 1 Kor 1,22-25). Misioni ndërmjet popujve kërkon nga Kisha e nga misionarët t’i pranojnë edhe pasojat e misionit të tyre: varfërinë ungjillore, që u jep lirinë për të predikuar Ungjillin me guxim e sinqeritet, për të kumtuar mospërdorimin e dhunës, duke iu përgjigjur së keqes me të mirë (cfr Mt 5,38-42; Rom 12,17-21),e gatishmërinë për të dhuruar edhe jetën, në emër të Krishtit e të njeriut”.
Në veprimtarinë misionare – përfundoi Papa – duhet kujtuar se Ungjilli zë vend në ndërgjegjën e në zemrat e njerëzve e, prej andej, përhapet në histori, vetëm përmes pushtetit të Shpirtit Shenjt, në bashkim me Atë, që është i Dërguar nga Hyji Atë për shëlbimin e të gjithëve:
Ungjillëzimi ka nevojë për të krishterë me krahë lartuar drejt Zotit në lutje, për të krishterë, që punojnë me vetëdijen e plotë se shndërimi i botës në Krishtin, nuk realizohet nga ne, por na dhurohet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.