2010-05-20 10:40:26

Prof. Ernest Koliqi në 107 vjetorin e lindjes


(20.5.2010 RV)Ernest Koliqi në 107-vjetorin e lindjes.
Prof. Ernest Koliqi, shkrimtar, studiues, publicist, njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave, që dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri, ku qe ministër arsimi e në diasporën shqiptare, duke themeluar Institutin e Studimeve Shqiptare pranë Universitetit romak "La Sapienza", lindi në Shkodër më 20 maj 1903, në familjen e famshme fisnike qytetare të Koliqëve, që do t'i jepte Shqipërisë një bir tjetër të madh, kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi e jo më pak, dëshmitaren e fesë së krishterë, motrën saleziane Luçia Koliqi.
Mësimet e mesme i kreu në Bergamo e Milano, studimet e larta - në fakultetin e letërsisë pranë Universitetit të Padovës, ku janë shkolluar e vijojnë të shkollohen jo pak shqiptarë, duke filluar nga i famshmi Imzot Pjetër Bogdani.

Koliqi botoi disa revista, ndërmjet të cilave "Shkëndija" - në Shqipëri dhe "Shęjzat" në Romë. Tek Shęjzat ai bashkoi penat më të forta të mërgimtarëve shqiptarë, të arbëreshëve e të shqiptarëve të Kosovës: poetë, prozatorë e studiues të talentuar, që krijuan një pasuri të vërtetë letrare, kulturore e historike, në një kohë kur në Shqipëri kishin heshtur muzat. Prandaj mund të themi me plot gojën se kjo revistë, botuar në bashkëpunim të ngushtë me shkrimtarin tjetër gjenial, vazhdues i shkollës veriore të letrave shqipe, Martin Camajn, mbetet më e mira, pas Albanisë së Konicës, LEKA-s, së jezuitëve e "Hyllit të Dritës " të françeskanëve shqiptarë.

Koliqi shkroi e përktheu shumë, në prozë e poezi. Krijime poetike të tij janë "Gjurmët e stinëve", "Simfonia e shqipeve", "Kangjellat e Rilindjes" e shumë vjersha, botuar ndër revista të ndryshme. Si kryevepra të tij poetike njihen "Ditë Shëngjergjash"; "Kova" e "Bijës sime".

Sidoqoftë majat e krijimit i arriti në prozën e mesme, duke i dhuruar letërsisë shqipe përmbledhjet me tregime e novela, " Tregtar flamujsh" dhe "Hija Maleve". Sprova e tij në prozën e gjatë me romanin "Buka e mbrume", botuar kohët e fundit edhe në Shqipëri, nuk e pati suksesin e përmbledhjeve të para.

Koliqi iu kushtua edhe shqipërimit të kryeveprave të letërsisë botërore e sidomos të asaj italiane. Përktheu poetët e mëdhenj të Italisë: Danten, Petrarkën, Arioston Tason, Karduçin, Paskolin e poetë të tjerë të kohëve më të vona.

U shqua për mbledhjen dhe botimin e folklorit, sidomos të atij arbëresh. Me nismën e tij si ministër arsimi filloi botimi i "Vizareve të Kombit" e i "Shkrimtarëve shqiptarë", që konsiderohet si një nga tekstet më të mira të Historisë së Letërsisë Shqipe, të cilën e pasuroi edhe me studimin e tij mbi dy shkollat letrare veriore: shkollën e fretërve e të jezuitëve.

Është e pamundur të përmbledhësh në pak rreshta kontributin e atij që vdiq i zhuritur për Atdhe e që, edhe në varr, në dhe të huaj, ëndërron ditën e kthimit, që s'e arriti sa qe gjallë. I sulmuar rëndë nga shteti diktatorial dhe muzat e tij, Koliqi edhe sot vijon të njihet pak në Shqipëri, ku riduket me botime sporadike, kryesisht në Shkodër; ndërsa Kosova ia ka botuar tashmë një pjesë të mirë të veprës në serinë e veprave të zgjedhura e arbëreshët pagëzojnë fëmijë e shkolla me emrin e tij.
Ja çka thote studiuesi i ri shqiptar Agron Gjekmarkaj...........RealAudioMP3


Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në nje familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën "Ora e Maleve".
Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike "Bashkimi", themeluar nga Avni Rustemi. Për t'i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën "Epika popullore shqiptare". Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit La Sapienca të Romës.
Më 15 janar 1975 vdiq në shtëpinë e tij në Romë, i nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij. U varros në Romë.
Pra, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve '30, mbylli sytë përgjithmonë 32 vjet më parë në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (Romë), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prap kumbonët e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë "Bijës sime", botuar në ‘Shęjzat’, që tingëllon si Testament poetik
Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, ai njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shęjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe.
E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studenteske "Noi giovani" të Bergamos. Gjatë mërgimit në Jugosllavi, botoi poemthin "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike; më 1929, "Hija e maleve" e më 1935 "Tregtar flamujsh", kushtuar jetës në Shkodër.
Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: "Poetëve të mëdhaj të Italisë". Më pas botoi "Kangjellat e Rilindjes" (1959) dhe romanin "Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet.
Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë "Dante Aligheri"; “Yllin e artë për merita të shkollës"; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut", Anëtar nderi i qëndrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj.
Pak vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore. Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dha jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi.
A mund t'i mohohet Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe?
Në 32-vjetorin e vdekjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut.
Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, Mikel Koliqit. Po mjaftohemi, për shkak të mungesës së kohës, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, në sa trupi i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodrën, mëngjeset e së së cilës i kujton kështu:
Shkodra në mengjese

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

TREGETARE FLAMUJSH

(Fragment)

-Posi.... u ba Shqipnija. Dalin te marret e vikasin rrnofte Shqiperia! Ti i mencem pergjigje tue bertit ne kupe te qielles : rrnofte, po, e shpejt me porosite flamuj. Na shkyeju rrnofte, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesit tona. Loje e bukur, por s'te ka dale....
Gasper Tragaci, leshoi shtizen e u avit kercenueshem kah djali.
Flamuri ra per toke. Hilushi s'luejti vendit. Shikonte syte e ftohte qi leshojshin shkendija idhnimi. Tregetari u ndal para tij.
- Mos me kene hatri i miksis se mocme qi kam me shpine t'ante, dij une...
I riu ia priti
- Per hater t'asaj miksije tash qes bejte me t'u shit flamujt..
Me za qi i dridhej prej pezmit tjetri ia kthei:
-po, zati ti sdin vec me qit bejta. Jeto me prralla, bieru mbas andrrave. Me vjen keq per gjind tuj se tash i qet ne rruge te madhe, me shka shof une. Hajt, hajt, qit bejta e duaje Shqipnin: bejtat e Shqipnija
kane me te qite ne drite....
U afrue edhe ma teper e peshperiti si ne nje fishkullime:
- U shitne a s'u shitne flamujt, qendroi a s'qendroi Shqipnija, une kam mjaft shyqyr, me jetue, a more vesh e tash jashte....
-Kadale... ia priti djaloshi me t'eger e syt i vetuen- dal vete e s'asht nevoja me me qit jashte ti.
Por edhe nje fjale due me t'a thane e te lutem vire ne vesh si at kshill qe me dhae par ne dugaje.
Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit te gjalleve qyshse je ndry ne ket dugaje mbushe me mall. Ky asht vorri yt. E sa per Shqipni, po te siguroj un se ka me qindrue. Prandej mos ban merak se edhe flamujt kan me t'u shit krejt, por rueje shpirtin tand mos tia shitish dreqit.
E Hilush Viza doli, lehtesue ne zemer nga ai shfrim, me thith ajer te kulluet n'udhe sepse era e asaj dugaje i mirrte frymen.

Ernest Koliqi Nji pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare fiket
Nga mons. Josef J. Oroshi.
Nji ndër fatëkeqësitë gati të përgjithta asht se nierzit e mdhaj bahen aq të nevojshëm në rangun e tyne të përditshëm, saqë dalin vonë në pushim, e nuk arrinë m’e shfrytësue plotësisht përvojën e tyne të gjatë, më krijime të reja, ose edhe për t’u dhanë dorën e fundit prodhimeve që ata i dhanë nierzimit.
Shum herë ndigjova nga shqiptarët e Bostonit se Imzot Fan Noli nuk mendonte me vdekë!… pse donte me vijue punën e tij per t’u lanë sa ma shum breznivet t’ardhëshme. Këtë të vërtetë e shprehë ma së mirit edhe proverbi popullor: Nik më lanë punët me vdekë! Nji gjerman më thonte për kanqelarin Adenauer: Sa të largohet nga Kanqellaria, ai vdes. Këta ngjanë sidomos me nierzit krijimtarë, si në shkencë si n’arte të bukura. Ata e përfillin rangun e tyne jo vetëm si nji detyrë për t’u krye, por ma tepër si nji vokacjon për t’i kushtue jetën. Për ta nuk ka matëshmeni, as shmangie flijimesh, çfarëdo qofshin. Poeti lirik romak thonte për materialistat: Parja siellë unë pares. Anasjelltas asht për shkencëtarët e artistat: puna u shton unë e punës përherë e ma tepër. Të kallun në psyhen e tyne për të gjinikue ata çka ne menden tyne asht sajue, sendergjue e shestue per të mirën e nierzimit, naltësohen n’atmosferat e universalevet, të pamatëshmenisë së kohës e hapsinës, tue harrue deri ligështinë e natyrës nierzore, së cilës Krijuesi, në setcilin individ, i ka vu nji cak.
Nder këso rrethanash e gjet vdekja papritmas profesor Ernest Koliqin, Ordinar i Universitetit të Romës për Letersinë Shqipe per ma se tridhetëpesë vjet.
Sheji i sëmundjes hajneshë të zemrës i pat trakllue te dera tash do vjet ma para. Megjithate, teksa pat dalë në pushim, ai i qe përveshë punës prodhimtare edhe ma me zell e shpejtësi se para. Si kemi marrë vesht nga miqët, ai punoi atë ditë ç’nga ora shtatë të mëngjesit e deri n’ora pesë të mbramjes që do t’ishte e mbramja per të. E ndiente vetin të kënaqun se tash, i shkëputun nga punët e Universitetit, mund t’i a kushtonte krejtë kohën prodhimit letrar. Dihet se ishte tue pregatitë Antologjinë e Letërsisë Shqipe (me shkrimtarë të mdhaj e të vogjël), dhe “Memoirs” e veta. Në mes të kësaj nisme sa të dobishme, aq të nevojshme, vdekja e pamëshrirëshme i a ngrini dorën tue shterngue penden puntore. Keso çasesh mirë ma kujtojnë elegjitë vajtimore të malcorevet tona vdekjen e rapsodit të vendit:


Lahuta të pret me i ra
Por gishtat t’u kanë tha


Nuk besohet se gjindet sot gjallë nji si ai, me përvojë e njoftuni aq të thellë e të gjithanëshme të shkrimtarëvet shqiptarë, që të ndërmarrë nji nisme sa të guximshme aq edhe të vështirë, përpilimin e Antologjisë Letrare Shqiptare, me art e paanësi, sidomos në konditat e sotshme, si do të delte nga penda e tij.
Nga vjeti 1955 deri në 1961 paçë fatin të studjoshe n’Universitetin Shtetnor të Romës. Këtu paçë rasën ta njifshem ma s’afermi të ndiemin profesor. E paçë jo vetëm profesorin e Letërsisë Shqipe, por edhe drejtor të studjimevet. Njoftunija, dashtnija e depërtimi me zotësi i shkrimtarëvet të ndryshëm, edhe i dytunorëvet, e sidomos depërtimi i filozofisë së kangëvet epike shqiptare, në të cilat ai shquente nji “ethos” autokthon të njij çivilizimit jetik Iliro-Shqiptar, e mbante audjencën e dendun shtang, dhe u jepte të huejvet me kuptue se edhe Populli Shqiptar e ka dhanë nimesën e vet në brumbosjen e çivilizimevet të ndryshme Mesdhetare.
E njimend edhe specializimi i tij, në doktronimin e letrësisë, ka qenë mbi Kangët Epike Shqiptare. Pat mbajtë miq personal rapsodët ma të njoftunit e malevet, si Gjergj Pllumbin e Shalës, Prendush Gegen e Pukës etj., e nder meshtarë ma së forti Patër Bernardin Palaj, françeskan, përmbledhës e hulumtues i madh i Visaret e Kombit.
Klasa e tij n’Universitet gjindej gjithmonë e dendun, jo vetëm me studenta të rregullt, por edhe me intelektual të tjerë, sidomos Arbreshë, që dishrojshin të kishin njoftuni mbi letërsinë shqipe. Përsa u perket Arbreshëvet mandej, u ba udhëheqës per dashtninë e ringjalljen e gjuhës shqipe nder të gjitha koloni. Me anën e studentavet Arbreshë, sikurse me hulumtimet e veta direkte, mblodh krejtë folklorin e traditat popullore jetike nder fshatet arbreshe. Landa ma e zgjedhuna e ketyne materjalevet qe përpunue shkencëtarisht, nen drejtimin e tij, nder theza laurimit në Letrësinë Shqipe, n’Universitetin e Romës. Imzot Fan Noli i pat dhanë miratimin ma të madhin kësaj punë, pse thonte: Kurr nuk është bër një punë e tillë ndër Arbreshë.
Pjesë ma të zgjedhuna të këtyrne punimevet universitare qenë botue, gjatë 18 vjetëvet, në revistën zamadhe të letrësisë dhe të kulturës shqiptare, Shęjzat, themelue e drejtue me zotësi e mbajtë gjithmonë në livel epror gjuhësijet, sikurse me flijime të mdhaja si ekonomike, ashtu të punës së panderpreme intelektuale të profesor Ernest Koliqit. Kjo revistë jo vetëm që gëzoi miratimin e pjesës ma të njoftun t’intelektualëvet shqiptarë në diasporë e të minoriteteve shqiptare, sidomos në Kosovë, por edhe nga jashtë Vűllaj e Shęjzavet, u përhapën si në Gjermani, Amerikë, Angli e shum universitete botnore. Per ma teper rreth saj u mblodhen penda nder ma të mirat e diasporës shqiptare, sikurse penda auktorësh të huej me jehonë nderkombtare, sidomos albanologë e historjanë gjerman. Me nji fjalë revista Shęjzat qe ba epiqendra e letrësisë e Kulturës Shqiptare, e në të njëjtën kohë shkollë e Letrësisë Shqiptare të stilit të naltë për rininë në diasporë dhe, me kufizimet e njoftuna, nder minoritarë.
Vetëm breznitë e ardhëshme kanë per ta gjykue pa-anësi e kanë per t’i dhanë çmimin e meritueshëm kësaj reviste zamadhe. Kurdo, nëkohën e ardhëshme ata kanë për të ba kërkesa e hulumtime letrare e kulturore kanë per të gjetë se, në krahasim me botimet e tjera, në krejtë periudhën ç’nga vjeti 1939 e deri në mbylljen e saj, me vdekjen e krijuesit të saj, më 15 kallnduer 1975, nuk kanë për të gjetë mbrenda kësaj periudhe, botime tjera me përmbajtje letrare shqipe, vijueshmerisht artistike të stilit të naltë, si Shęjzat, as botim tjetër çfaredo, të papërziem si kjo revistë në demagogjinë e merzitëshme politike të këtyne trisdhjetë vjetëvet të fundit. Por këtu ai dijti të përmbahej i tillë. Lirija në krijueshmeni, dhe universaliteti i artit per të mirën e gjinisë nierzore, janë ligjë të pakapërcyeshme për artistin e vertëtë.
Me vend e pat zgjedhë prof. Karl Gurakuqi, dritë pastë, titullin e librit komentues me rasën e dhetëvjetorit të parë të revistës Nepër vullajt e Shęjzavet të cilin e botoi në Romë në 1969. Titulli vetë e përshkruen përmbajtjen e kopshtit (landës) së Shęjzavet. Jo kopshtë ferrash, pasjonesh nierzore, por vullaj të njoma e të freskëta që tue u rritë, lulëzojnë dhe në verën e lirisë japin frytet e bukura e të shishëme per të mirën e nierzimit.
Pregatitja dhe prodhimet letrare
Prof. Ernest Koliqi lindi në Shkodrë me 20 maj, 1903, nga nji famije e njoftun tregtare e këtij qyteti historik Ilir-Shqiptar.
Si mbaroi filloret në Kolegjën Saverjane të Jezuitëvet në Shkodrë, i ati, Shan Koliqi e dergoi n’Italië e Veriut per shkollat e mesme.
Prodhimet e veta poetike në gjuhen italishte i filloi ç’nga rinija. Me 1919 këthen në Shqipni, në Shkodrë, ku Imzot Luigj Bumçi e Luigj Gurakuqi, tue njoftë në prirje letrare artistike,e nxisin të jepej mbas studjimevet të gjuhës e të veprimatrisë letrare shqipe.
Me 1923, së bashkut me miqt e tij shkodranë, Nush Topallin e Pater Anton Harapin, themeloi fletoren Ora e Maleve, organ politik i grupit liberal-demokrat, që drejtohej nga Luigj Gurakuqi. Si Gurakuqi si, ma vonë, At Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjeda, u banë udhëheqësat ma të ngushtit të tij per t’i dhanë hove të reja e përvojë në letërsinë shqipe. Megjithate, Koliqi qe i pari shkrimtar shkodranë i kohës së vet që dashtas u largue nga shkodranishtja pak e teper e theksueme nder shkrimtarët e tjerë të deri atëhershëm. Gjuha e tij ishte ma e pergjithë, prandej ma e pasun, stili aristokrat, periudhat të skalituna me adjektiva ngjyrëdhanës, i jepshin gjallnin e valavitje gjuhës e stilit të tij artistik.
Në 1924 Ora e Maleve i besoi kryeredaksinë e asaj fletroje. Po në këtë vjetë thrret Gurakuqi në Tiranë si sekretar privat, dhe pak ma vonë bahet sekretar i Ministrisë së Mbrendshme, nen Kolonel Rexhep shalën.
Ngjarjet e vjetit 1925 e shtyejnë të kërkojë strehim në Jugosllavi, ku pat rast të thellohej në poezinë e pasun popullore jugosllave.
Me 1928 Koliqin e gjejmë në Bari t’Italisë, në mes të grupit të mërguemvet shqiptarë Sotir Peci, Bahri Omari, Kost Paftali, Sheh Karbunara e, ma vonë, në bashkëpunim per veprimtari të shqipes, me Mustafa Krujën nga Zara.
Të parën vepër botoi Koliqi në Tiranë, në vjetin 1924. Me pseudonymin Borizani botoi shum poezina në Lirija Kombëtare të Gjenevës, drejtue nga dr. Omer Nishani.
Por vepra që e paraqiti shkrimtar të dorës së parë të shqipes qe vëllimi i novelavet Hija e Maleve botue me 1929 në Zara. Shkruesit të këtyne rreshtavet i kujtohet mirë leximi i parë i këtij librit. Në Shkodrë, por me te, dhe nji stil i ri që bante gjuhen ma të lehtë, ma t’ambël, ma lakuese, të pasun e tërhjekëse, n’afërsi me gjuhët e mdhaja botnore, zhvillue me shekuj para sonës, për shprehjen e artit.
Po në këtë vjetë ai këthehet në Shqipni, ku mëson letërsinë shqipe, ma para në shkollën tregtare të Vlonës e, ma vonë në Liceun Shtetnor të Shkodrës. Shum nga nxanësit e tij u banë shkrimtarë të vlefshëm të shqipes e t’arsimit shqiptar si në Shqipni, si edhe per nji kohë të shkurtë por të vlefshme, në Kosovë.
Me 1933 dha dorëheqje nga arsimi per të shkue n’Universitetin e Padovës, n’Itali per të vazhdue studjimet.
Me 1936 u emnue Lektor i Shqipes pranë atij Universiteti, per Kathedrën e Albanologjisë që drejtohej nga glotologu i famshëm Carlo Tavagliani.
Me 1937, u dokturue, tue mprojtë thezën: Epika Popullore Shqipe. Po në këtë kohë u themelue në Romë, n’Universitetin Shtetnor Selija e Albanologjisë. Me 1939 qe emnue Ordinar i kësaj Selije, ku qenroi deri sa doli ne pensjon, me përjashtim të njij periudhet të shkurtë. E njimend, nga vjeti 1939 deri në fund të vjetit 1942 ai drejtoi Ministrinë e Arsmimit në Shqipni. Megjithse koha dhe rrethanat ishin ato që njifen, nen nji okupim, asgjamangut prof. Koliqi dijti t’i shfrytësonte të dyja. Nen Ministrinë e Arsimit t’atëherëshme u botuen tekste shkollor shqipe e libra, ma tepër se ç’nga vjeti 1912 e deri n’atë kohë.
Por merita ma e madhja e këtij dikasterit t’Arsimit ka qenë hapja e shkollavet shqipe për të parën herë, ndër krahinat e ndryshme kosovare. Kosovarët vetë e pohojnë se kjo nisme, e fillimit të shkollës shqipe në Kosovë, nuk mund të quhet as nji rilindje, pse çka nuk ka eksistue kurr, nuk rilindë, por nji lindje e vertete historike per nji popullësi prej ma se nji milion frymësh, përba prej analfabetësh, ma se 90 %. “Nuk kishte nji mësues, profesor, gjygjtar, avokat, doktor mdeicije, me nji fjalë nuk kishte asnji person prej kombësisë shqiptare në profesjonin intelektual” na thotë dr. Rexhep Krasniqi në nji artikull në nr. e fundit të Shęjzavet, ku përshkruenë mjerimin e terrësinavet të Mes Jetës ku i kishin lanë regjimet monorkike jugosllave t’atyne kohëvet. Ky qe vetë dishmitar i asaj gjendje, derisa qe ngarkue nga vetë Ministri, prof. Koliqi, Komisar i Ministrisë per Internatin e Prishtinës, që do bahej çerdhja e arsimtarëvet e arsimtarevet të ma vonëshme.
Prap po i lamë fjalën dr. Krasniit nga i njajti artikull: “Para se të nisej në krye të detyrës (per Kosovë) Z. Krasniqi pat nji bashfjalim të gjatë me prof. Koliqin, i cili, nder të tjera udhëzime, shquejti tri pika me ranësi të posaçme: 1) Misnitrija e Arsimit ven bujarisht në dispozicjon mjete financjare dhe material të ndryshëm për ekuipazhimin e shkollës dhe t’Internatit, si dhe per ushqim e veshëmathje të studentavet bursista; 2) Mësimi i gjuhës shqipe do të kishte prioritet mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht me nga dy orë të përditshme per të gjitha klasat, dhe po per këte qellim ai i porositi që: 3) Studentat e kesaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë n’organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër” (Shęjzat, XVIII, 1974, Nr. 1-10, fq. 10). Bursistat e Internatit ishin 200, të gjith me bursa qeveritarem, dhe drejtohej nga prof. Vasil Andoni.
Në dritën e sotëshme, besoj se gjithkush e kupton randësinë e kësaj nisme historike.
Per ma tepër, po gjatë asaj kohe, themeloi, bashkë me Mustafa Krujën dhe Prof. At Zef Valentinin, Institutin e Studjimevet Shqiptare në Tiranë, i cili përmblodh në gjinin e vet shkrimtarët e poetët ma të njoftunit në botën Shqiptare.


Ma vonë ai e la Ministrinë e Arsimit e kohën e punën ia kushtoi krejtësisht këtij Institutit.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botnore rishtas e gjenë prof. Koliqin tue dhanë mësime në Romë, si titullar i Kathedrës s’Albanologjisë n’Universitetin Shtetnor të këtij kryeqytetit.
Me 1957, me dekret të Kryetarit të Republikës Italjane, Kathedra e Shqipes pranë këtij Universitetit, per njohje prestizhit, u naltue n’Institut Studjimesh Shqiptare.
Botimet ma të njoftuna të Koliqit në Letërsi janë: nji vëllim vjerrshash me titull Gjurmat e Stinvet (1934); nji vëllim novelash Tregtar Flamujsh (1935).
Porse aktiviteti i tij letrar gjindet sidomos nder të përkohshme të ndryshme, si në Hylli i Dritës, Leka, Minerva, Illyrija- që drejtohej nga Asim Jakova, -Gazeta Shqiptare, Ora e Malevet, etj.; Studimev Letrare mbi dy Kolegjat shkodranë, të Jezuitëvet e të Françeskajvet. Mbi poetët Simbolista të Flandrës, Mbi Reflekset Lindore në Letërsinë Shqipe; Mbi Artin Krijimtar të Rapsodvet të Malevet të Veriut të Shqipnisë.
Nder këto vjetët e fundit botoi romanxin Shija e bukës së mbrume sikurse vëllimet me nji varg poemthash në prozë: Pasqyra e Narçizit e Kangjelat e Rilindjes në poezi, Symfonija e Shqipevet perkthye anglisht nga dr. Anesti Andrea. Koliqi shkroi shum edhe në gjuhën italishte, tue përdorë edhe në këtë gjuhë gjithnji thematikë shqiptare, për t’u ba të njoftun të huejvet shpirtin e karakteristikat shqiptarit.
Nder këto vepra spikasin: Epica Popolare albanese (1937): Poesia popolare Albanese (1957); Antologia della Lirica Albanese (1963). Menjiherë mbas botimit autori ia dhuroi të nenshkruemit kopjen me këto fjalë: “Të Përndertit ... kët perpjekje me u a paraqitë bukurisht të huejvet anat ma njerzore të fisit arbnuer, me dashuni, vëllaznim e nderim i a dërgon. E.K.”
Ky vëllim 320 faqesh, qe komentue, në stil e terna eprorë, si nimesë Civilizimit Medhetar, në nji artikull dy shtyllash në Giornale d’Italia (shkurt, 4-5, 1964), shkrue nga nji nder klasicistat ma të mdhajt e Evropës, Ettore Paratore, autor e Ordinar i Letërsisë Latine n’Universitetin Shtetnor të Romës. Ky pat zgjedhë e botue n’atë artikull pjesën e njij poezie origjinale të ndiemit autor, nji nder ma të bukurat e tija, me titull Estrema Visione. (Vegim i mbram). Në këtë poezi lirike autori përshndet per të mbramen herë vorret e të parëvet e Atdheun, i sigurtë se nuk do ta shifte ma per së gjallit, si ngjau:
Quando con un frullar di trepide ali
queste palpebre, stanche
di luce sempre effusa sul dolore,
mi chiuderai con un materno gesto:
mi sembrerŕ di risentir sul volto
il delicato tocco
d'una rama dei boschi , delle dita
vegetali dei boschi d'Albania,
dita di fresche foglie
asperse di rugiada,
le lagrime del nostro cielo, aulenti,
sudor segreto della nostra terra,
unico refrigerio
al divorante ardore
che mi consuma questa argilla umana,
dove rivive e soffre
la cenere degli avi:
ti seguirň spedito,
tacita condottiera,
sopra il sentiero aereo che conduce
al limitare cerulo
della Gran Luce che tu ci riveli:
pago se, prima di varcar le astrali
alte frontiere e sciogliermi
da questa umana argilla
che m'inceppa
mi mostrerai lontano
nei cieli, fra la bruma
dei miei terrestri di'
volti al tramonto,
le montagne natali
alfine circonfuse da un fiammante
vel di libere aurore.
 
Përkthime

Prof. Koliqi zen mandej nji vend kryesisht me randësi si përkthyesi ma kompetent që patëm, nga italishtja e frengjishtja në shqip, sikurse nga shqipja n’italishtën. Qe i pari që përballoi përkthimin e poetëvet të mdhaj, si Dante Aligheri, Petrarca, Aristo Tasso, Foscolo, Carducci, Pascoli, D’Annuzio, Baudlaire, Maeterlinck, Verhaeren etj.
Per çdo shkrimtar krijimtar, si Koliqi, asht ma vështirë me sjellë në nji shqipe të kulluet e artistike të këtillë poet, se me krijue nji vepër origjinal.
Ndoshta fort pak shkrimtarëvet shqiptarë u heci fati si prof. Koliqit, që të kishte si karrierrë jetësore, ma tepër në disporë, arsimin e naltë të Letravet Shqipe. Kjo ka qenë nji fatlumsi per ate, sikurse per Letersinë Shqipe. Në dritën e sotëshme, e, nëse sot e kur veprat e shkrimet e tija do të mbidhen e të botohen në tanësi, prof. Koliqi pa dyshim mbetet shkrimtari origjinal ma i madhi i periudhës së tij, mbrenda e jashtë Shqipnijet.
Me qinda nxansa Arbreshë, shqiptarë e italjanë kanë ndjekë mësimet e tija, n’Univeristetin e Romës, dhe, si u tha ma nalt, shum prej sish janë doktorue, tue rrahë thematike Albanologjijet. Ma se katerdhetë theza laurimit pasunojnë me landë letrare, historike e gjuhësore arkivat e Institutit të Studjimevet Shqiptare, që ai themeloi dhe drejtoi me aq zotësi pranë Universitetit të Romës. Në këtë mënyrë prof. Koliqi i ka pregatitë nji brezni të rë, jashta Atdheut, Letërsisë Shqipe.
Besojmë se, sot per sot, kurrkujt nuk ibjen barra ma e randë se Institutit të Albanologjisë n’Universitetin e Romës dhe Qendres Nderkombëtare të Studimevet Shqiptare të Palermos per botimin në tanësi të vepravet e të dorëshkrimvet letrare të prof. Koliqit. Do t’i bajshin sherbimin ma të madhin letrësisë e kulturës shqiptare në diasporë, dhe do t’ishte nderimi e monumenti ma i madhi që do t’i bajshin përkujtimit të Tij.
Prof. Koliqi qe i pari që hapi periudhën e prozës artistike të letërsisë shqipe, në të cilën zen vend mbinominativat, adjektivi me fuqinë kromatike të piktorit, gërshetue me jehonat e ambla të muzikantit. Gjuha e tij asht zhurmuese si prrojet e lumejt shkallmuesa; asht si curili i kronit të kaltert e të pameshëm që në verën rreshkuese me puhinë freskuese, grishë shtektarin me u flladitë, dhe dashtë e padashtë, me pi në te.

Per Mikun e katerdhetë vjetëvet dhe viganin e Letravet Shqipe, mund të thomi çka la shkrue per veti poeti latin, Horaci: Non omnis moriar. Mars, 10, 1975.







All the contents on this site are copyrighted ©.