Koncert për Papën në Vatikan, promovuar nga Patriku i Moskës
(20.05.2010 RV)Me rastin e “Ditëve të kulturës dhe të përshpirtërisë ruse në
Vatikan”, sot pasdite në orën 18.00, në Sallën Pali VI, u mbajt një koncert për nder
të Papës Benedikti XVI, promovuar nga Patriku i Moskës dhe i të gjithë Rusive, Kirill
I. Fillimisht, Ati i Shenjtë u përshëndet nga kreu i Departamentit për Punët
e Jashtme në Patriarkatin e Moskës, metropoliti Hilarion Alfjejev. Pastaj, filloi
koncerti i Orkestrës Kombëtare Ruse, nën drejtimin e dirigjentit Karlo Ponti. Muzika
e propozuar për këtë rast është nga më madhështoret. U ekzekutuan pjesë nga Rahmaninov,
Korsakov e Musorski. Më pas, qe radha e Kapelës së Kornove të Rusisë, themeluar
në Shën Pjetërburg më 1751, që ekzekutoi pjesë nga repertori fetar, ndërmjet të cilave
po përmendim “Lutjen” e Çajkovskit. Më vonë, përsëri muzikë kishtare, kësaj radhe
e Rahmaninovit dhe Musorskit, kënduar nga Kori Sinodal moskovit. Para se ta merrte
fjalën Papa Benedikti XVI, u ekzekutua “Kënga e Ngjitjes në qiell”, kompozuar nga
vetë metropoliti Hilarion.