Inagurohet në Romë akademia italo-ruse “Sapientia et Scientia”
(20.05.2010 RV)U inagurua sot paradite në Romë Akademia italo-ruse “Sapientia
et Scientia”: një vendtakim i përfaqësuesve të Kishave dhe i shoqërive civile të Italisë
dhe të Rusisë. Themeluar me nismën e Shoqatës Ndërkombëtare “Sofia: ideja ruse – ide
evropiane”, me bashkëpunimin e universitetit shtetëror dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare
të Moskës, akademia do të zhvillojë veprimtarinë e vet pranë Vilës Sciarra-Wurts.
Të pranishëm në përurim mitropoliti Hilarion, kryetar i departamentit të marrëdhënieve
me jashtë të Patriarkatit të Moskës, dhe kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar
nderi i Këshillit Papnor Drejtësi dhe Paqë. Po, cilat janë synimet e kësaj
akademie? Në mikrofonin tonë përgjigjet profesori i integrimit evropian
pranë Universitetit katolik të “Zemrës Shenjte” të Milanos, Pierluka Azaro:
Përgjigje:Akademia
përbëhet nga sektorë të ndryshëm, ai juridik, politik, të marrëdhënieve ndërkombëtare,
i ekonomisë por edhe ai artistik dhe letrar. Të gjitha, këta i përshkon një ide e
vetme që na e kujtojnë shpesh qoftë mendimin e Papës Benedikti XVI, qoftë atë të Patrikut
Kirill. Dhe kjo ide ka të bëjë me rikthimin e diturisë së krishterë në mendimin perëndimor.
Dituria e krishterë për të gjithë ne të krishterët – katolikë apo ruso-orotodoksë
– është gurra e vërtetë e madhështisë njerëzore. Nëse fakti, se njeriu është krijuar
sipas shëmbulltyrës së Zotit, shpërfillet, nëse shpërfillet fakti tjetër, se Zoti
i gjallë e deshi njeriun deri në vdekje, atëherë, sikurse e vërejmë çdo ditë, na imponohen
etja për pasuri, egoizmi, armiqësia. Ajo që Papa Benedikti XVI e ka quajtur “gërbula
e shpirtit” dhe që shëmton dhe kthen çdo gjë në gënjeshtër: e drejta që bëhet e drejtë
antinjerëzore; ekonomia – dhe këtë vërejmë edhe në ditët e sotme – që kthehet në plaçkitje;
arti që shndërrohet në himn kushtuar shëmtimit.