2010-05-20 15:44:42

Benedikti XVI ambasadores së Emirateve të Bashkuara Arabe: e vlerësoj lirinë e kultit në vendin tuaj.


(20.05.2010 RV)Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend mysliman, që e mbron lirinë e kultit dhe dinjitetin e shumë punëtorëve të huaj, që e kanë zgjedhur si vend jetese: kështu iu drejtua Papa sot paradite, ambasadores së këtij shteti, të cilën e priti në audiencë. Zonja Hisa Abdulla Ahmed Al-Otaiba është e para me detyrën e ambasadores pranë Selisë së Shenjtë, që nga lidhja e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, më 31 maj 2007.
Diplomatja poliglote dhe plurilaureate, me specializime në Amerikë e Zvicër, nënë e katër fëmijëve, përfaqëson një vend të pasur me naftë e gaz, me 4 milion banorë e me 70% të punëtorëve të huaj, që vijnë nga Lindja e Mesme dhe e Largët. Pikërisht për ta, Benedikti XVI tha:
“Hapja e Emirateve të Bashkuara Arabe për punëtorët e huaj, kërkon një impenjim të vazhdueshëm për forcimin e kushteve të nevojshme për bashkëjetesën paqësore dhe përparimin shoqëror, e për këtë, vendi duhet lavdëruar. Dëshiroj të vërej me kënaqësi se ka shumë kisha katolike, të ndërtuar mbi toka të dhuruara nga autoritetet publike. Është dëshirë e Selisë së Shenjtë që ky bashkëpunim të vazhdojë e të zhvillohet, mbi bazën e nevojave baritore në rritje të popullsisë katolike”.
Liria e kultit, theksoi Papa, kontribuon në të mirën e përbashkët e në harmoninë shoqërore. E duke e zgjeruar arsyetimin edhe mbi gjendjen aktuale ndërkombëtare, Benedikti XVI vuri në dukje si duhen shfrytëzuar teknologjia e zhvillimi i sotëm:
“Me të vërtetë, janë burrat e gratë, të kuptuar si unikë në natyrën që u ka dhënë Zoti, qëllimi i çdo politike, kulture, tekonologjie e zhvillimi. Reduktimi i objektivave të këtyre përjekjeve njerëzore thjesht në qëllime fitimi apo leverdie vë në rrezik centralitetin e njeriut në përgjithësi, si pasuri kryesore për t’u mbrojtur e vlerësuar”.
Selia e Shenjtë, nënvizoi Benedikti XVI, punon shumë për ta ruajtur këtë vizion të qartë mbi njeriun në arenën ndërkombëtare, që t’i shërbejë kështu sa më mirë zhvillimit të popujve e të kombeve. Kjo është edhe dëshira e kontributi i të krishterëve, që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfundoi Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.