2010-05-19 12:25:30

Sot më 19 maj, kalendari Kishtar përkujton Shën Çelestinin V, papë.


(19.5.2010 RV)Pjetri nga Morrone, meshtar, kaloi një jetë thellësisht shpirtërore duke jetuar si oshënar. Themeloi Urdhrin rregulltar të “Vëllezërve të Shpirtit Shenjt”, që më pas u quajtën “Celestinianët”, të cilët u miratuan nga Papa Urbani IV. Më vonë Pjetri nga Morrone themeloi vende tjera oshënarësh për njerëz që i përkushtonin tërë jetën meditimit të Fjalës së Zotit dhe lutjes.
U zgjodh Papë gati tetëdhjetëvjeçar, pas konklavës që zgjati dy vjet, e si Papë e mori emrin Celestini V. Ishte njeri i përshpirtshëm e i shenjtë, iu dashtë të ballafaqohej me interesa politike dhe ekonomike e me ndërhyrjet e trysnit e Karlit D’Anzhň.
Duke hetuar manovrimet e keqpërdorimet që po organizoheshin me personin e tij, hoqi dorë nga detyra e Papës, e pas pak vdiq në vetmi në Fumone. I kritikuar ashpër nga Dante Alighieri si “ai që nga frika dha dorëheqje nga detyra e madhe”, sot Celestini V Papë konsiderohet si një njeri me fe e fuqi shpirtërore të jashtëzakonshme, shembull heroik i përvujtërisë e largpamësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.