2010-05-19 18:09:08

Dorëzohen krerët e protestës në Tajlandë. Vendi në flakë.


(19.05.2010 RV)Rëndohet gjendja në Tajlandë, ku në Bangkok është vendosur shtetrrethimi dhe ku sulmi i forcave qeveritare kundër manifestuesve çoi në dorëzimin e tyre. Gjatë luftimeve humbën jetën 6 vetë dhe u plagosën 58 të tjerë. Ndër vendasit, edhe tre të huaj: u vra një fotoreporter italian dhe u plagosën dy gazetarë, njëri amerikan e tjetri hollandez.
Arrestimi i katër krerëve të protestës së këmishëkuqve, përkrahës të ish-kryeministrit Taksin Shinauatra nuk e ndali dhunën. Bangkoku u ndez flakë e për orë të tëra, manifestuesit hodhën granata, plaçkitën e shkatërruan ç’gjetën përpara. Shtetrrethimi u shtri edhe në provinca të tjera. E enjtja dhe e premtja janë shpallur ditë pushimi, prandaj shkollat dhe zyrat do të qëndrojnë mbyllur.
Ofensiva qeveritare i dha fund gjashtë javëve të protestës në zonën tregtare të kryeqytetit tajlandez, ku këmishëkuqtë kërkonin zgjedhje të reja. Gjatë gjashtë ditëve të fundit, janë vrarë mëse 40 vetë. A ka rrezik që dhuna të përhapet në të gjithë vendin? Përgjigjet telefonikisht nga Bangkoku, gazetari italian Stefano Vekia:
Po, ky është një rrezik që qeveria e ka marrë parasysh, ashtu siç pati marrë parasysh edhe atë që po ndodh tani, kur i gjithë Bangkoku është ndezur flakë. Këmishëkuqtë nuk kanë aftësi organizative dhe taktike për guerrilje, apo për një revoltë të vërtetë, por në çdo çast, mund të përdorin taktikën e luftimit rrugë për rrugë e sidomos, t’u vënë flakën të gjitha ndërtesave, që për ta janë simbole të pushtetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.