Sot më 18 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Gjonin I, papë e martir.
(18.05.2010 RV) “Shumë të rënda, sipas gjykimit të njerëzve, janë fajet e tua
si njeri e si mbret: etje e pangopur për pushtet e për masakra, tolerancë e tepruar
ndaj marrëzisë së ndjekësve të tu, mendjemadhësi e mashtrim…”. Kështu, me gojën e
një engjëlli, shkrimtari i njohur italian, Gjovani Papini i flet Teodorikut në veprën
e tij kushtuar gjyqit universal. E ja edhe përgjigja: “Isha në krye të njërës nga
kopetë e endacakëve të uritur dhe gjithë autoriteti im si kapiten e si mbret nuk mund
t’i kthente sa çel e mbyll sytë në grigjë psalmistash e njerëzish që gjunjëzohen para
Zotit….. Romakë të rifuqizuar e Gotë të rifisnikëruar duhet të shkriheshin
në një popull të vetëm e të fortë, të aftë për t’i ridhënë Italisë vendin e parë në
botë. Nuk ishte faji im në se kjo ëndërr fisnike mbeti vetëm ëndërr”. E kujtuam
këtë fragment nga vepra e Papinit, sepse jeta e Shën Gjonit I, papë, lidhet ngushtë
pikërisht me dramën politiko-fetare të Teodorikut. Toskan nga lindja, Gjoni
u ul në fronin e papnisë pas papës Ormisda më 15 gusht të vitit 523. Ndonjë studiues
e identifikon me Gjonin diakon, autor i “Epistola Senarium”, letër me rëndësi të madhe
për historinë dhe liturgjinë e Pagëzimit, sepse ndoshta është i vetmi dokument që
vërteton traditën e Kishës së Romës për të ngritur e për të shuguruar të Shtunën e
Madhe shtatë elterët si dhe për të shtënë në Kelk një përzierje qumështi e mjalti.
Përveç tjerash, Gjoni diakon njihet si autor i traktatit “De fide catholica”, që erdhi
deri në kohët tona përmes veprave të Severino Boecio-s. Kur i biri i Kostancit
u bë papë, Ormisda dhe perandori Justin, ungji i Justinianit, e kishin kapërcyer që
prej pesë vjetësh skizmën që pati ndarë Romën nga Kostantinopoja në vitin e largët
484 për shkak të perandorit Zenon, i cili ishte përpjekur të realizonte një kompromis
të pamundur ndërmjet katolikëve e monofizitëve. Duke qenë se përpjekja solli edhe
kthesa politike e se gotët ishin arianë, rreth vitit 524 Justiniani publikoi një edikt,
me të cilin urdhëronte mbylljen e kishave ariane të Kostandinopojës dhe dëbimin e
heretikëve nga çdo detyrë civile e ushtarake. Atëherë Teodoriku e detyroi
Papën Gjoni I të shkonte në Kostandinopojë për të kërkuar nga perandori shfuqizimin
e dekretit: manifestimet që u organizuan për ta pritur Papën, qenë të jashtëzakonshme:
rreth 15 mijë vetë i dolën para me qirinj ndezur e me kryqa, duke i krijuar Gjonit
I edhe mundësitë të kryesonte kremtimet solemne të Krishtlindjes e të Pashkëve.
Justini pranoi kërkesën për t’ia kthyer arianëve kishat e shtetëzuara, por nguli këmbë
të mos ua njihte arianëve të kthyer në katolicizëm të drejtën të bëheshin përsëri
arianë. Kaq mjaftoi që Teodoriku, njeri tepër dyshimtar, që tashmë i kishte mbytur
Boecion e Simakun, të mendonte për një krim të ri. Sapo u kthye nga Kostandinopoja,
Gjoni I papë u flak në burgun e Ravenës, ku edhe vdiq ndër tortura më 18 maj të vitit
526. Trupi i Papës shenjt u mbart në Romë, në Bazilikën e Vatikanit, ku nderohet si
martir. Simboli i tij është palma. Emri Gjon, fort i përdorur në të gjitha kohërat
e në të gjitha vendet, vjen nga gjuha hebraike e do të thotë dhuratë e Zotit.