2010-05-18 16:25:46

Papa takon përfaqësuesit e ipeshkvijve të Evropës: të kapërcehen vështirësitë duke u mbështetur tek Ungjilli.


(18.5.2010 RV)“Me figurën e tij dhe shembullin e tij, në Fatima e në Lisbonë, Benedikti XVI na mësoi si të lutemi. Njerëzit kuptuan se ushqejnë një dashuri të madhe për të.” Këto janë përshtypjet nga udhëtimi i fundit i Papës në Portugali që vuri në pah sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, Atë Duarte da Kunja, me prejardhje nga Lisbona.
Atë Kunja, dje qe i pranishëm në audiencën e Papës Benedikti XVI me krerët e konferencave ipeshkvnore evropiane e mbi këtë takim me Atin e Shenjtë Racinger ai na tregon në mikrofonin e radios sonë për temat që u trajtuan nga Këshilli i Konferencave Evropiane para Benediktit XVI e Kuries Romake:

Përgjigje: Ishte një takim i lirë gjatë të cilit i treguam dhe i ilustruam Atit të Shenjtë dhe Kuries romake atë që po bëjmë ne si Këshill i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës me konferencat ipeshkvnore lokale: pra, bashkëpunimi, projektet dhe temat kryesore. Takimi me Atin e Shenjtë Racinger qe shumë i bukur, e gjatë tij u pa edhe gëzimi i Papës për udhëtimin në Portugali. Patëm gjithashtu edhe mundësi të diskutojmë për vështirësitë që po përjeton e kalon Evropa, e cila po largohet nga rrënjët e veta të krishtera. Ati i Shenjtë Benedikti XVI ngul këmbë shumë tek ungjillëzimi dhe shpresa. Për Evropën, ipeshkvijtë janë shumë të rëndësishëm dhe Konferencat Ipeshkvnore duket se janë një pikë kyçe.

Pyetje: Por është edhe një moment i vështirë...
Përgjigje: Shumë i vështirë, por kuptohet se nuk mund të shohim e ti referohemi vetëm problemeve. Kisha nuk mund të mbetët e kërrusur nën kërcënimin e atyre, që mjerisht e kanë njollosur Kishën. Kisha duhet të vazhdojë, sepse ka shumë për të bërë dhe nuk mund të ndalemi, e kjo sigurisht pa harruar e pa bërë gjoja se nuk kemi probleme, por në anën tjetër edhe nuk mund të ndalemi vetëm mbi këto probleme. Është Jezu Krishti që na shndrit e shenjtërit na ndihmojnë dhe kështu, pra, ekziston mundësia për t’ia dalur mbanë këtyre vështirësive. Besoj se kjo është një shenjë edhe në nivelin ekumenik, në nivelin baritor, të ungjillëzimit, të rrëfimit e të kremtimit të fesë, të katekizmit. Ekzistojnë mundësi të shumta, sepse shihet që njerëzit kanë etje të madhe për Zotin dhe kanë nevojë për gëzimin që buron nga feja. Ky është misioni ynë, për ta dëshmuar me forcë fenë, siç thotë Papa.

Pyetje: Po ndonjë reagim pas vizitës së Papës në Portugali? Cilat ishin çastet më emocionuese dhe më të bukura sipas jush?
Përgjigje: Një nga çastet më të bukura ishte në Lisbonë. Sfondi ishte i mahnitshëm, përpara lumit, dhe mbi të gjitha shihej që Papa ishte me të vërtetë i kënaqur. Pastaj edhe ajo që na tha Papa karakterizohej nga një forcë dhe bukuri e jashtëzakonshme. Edhe pamja e besimtarëve në Fatima ishte mallëngjyese. Mbi të gjitha shihej se njerëzit ishin të lumtur. Më ka bërë shumë përshtypje dhe më mallëngjeu heshtja, sepse Papa na bëri të rrinim në heshtje pas homelisë, siç e ka zakon. Edhe këto qenë çaste të pabesueshme, jashtëzakonisht të forta. Pesë minuta heshtjeje të 500 mijë vetëve, sikurse edhe në Lisbonë po kështu edhe në Porto. Këto çaste heshtjeje e lutjeje të vërtetë të besimtarëve na tregojnë se Papa po na mëson të lutemi.

Pyetje: Cilat janë gjërat që do të mbesin pas kësaj vizite dhe që do të japin fryte të vërteta?
Përgjigje: Ndoshta vetë imazhi i Papës. Njerëzit e kuptuan se Papa është një njeri me fe të gjallë e të thellë, një njeri me mirësjellje dhe sensibilitet shumë të theksuar. Mund të them se njerëzit “u dashuruan” në Papën edhe më shumë nga ç’ishin më parë. Gjëja e dytë ka të bëjë me shkrimet e tij që do të studiohen më tej nga grupet, nëpër bashkësitë famullitare të Kishave. Në këtë pikë, interneti është një avantazh sepse u mundëson të gjithëve t’i lexojnë shpejt këto shkrime. Papa mbërrin të thotë gjëra shumë të thella në një mënyrë tepër të thjeshtë aq sa njerëzit thonë: “E kuptova, e kuptova.” Edhe kjo të bën shumë përshtypje. Në fund entuziazmi. Pamë më shumë se dy milionë vetë që në një mënyrë apo në një tjetër qëndruan me Papën për katër ditë. Ka kaq shumë shpresë e kaq shumë entuziazëm në Kishë sa unë jam i bindur se do të japin fryte si shenjë e Shpirtit të Shenjtë. Vërtetë është shenjë se ka diçka, ekziston Dikush më i madh se vullneti ynë.







All the contents on this site are copyrighted ©.