2010-05-18 17:06:03

Kardinali Bredi do të vazhdojë mandatin e tij. Paraqitet raporti i dytë mbi abuzimet e klerit me të mitur në Kishën irlandeze.


(18.5.2010 RV)Kardinali Shon Bredi, primat i gjithë Irlandës do të vazhdojë mandatin e tij. Kështu u bë e ditur gjatë komentimit të raportit të dytë të përvitshëm të Komisionit kombëtar për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kishën Katolike të Irlandës, që u publikua dje.
“E pres mirë këtë raport”, shkruan kardinali Bredi duke falënderuar anëtarët e Komisionit për “përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm, profesionalizmin dhe impenjimin që treguan duke mbështetur dëshirën e sinqertë të ipeshkvijve dhe të përgjegjësve të Kongregatave fetare të bëhen shembullorë në zbatimin më të mirë të tutelës së fëmijëve”.
Shpresoj, - shton prelati, që raporti t’i sigurojë të gjithë se, ndonëse mbeten ende sfida të rëndësishme, Kisha katolike e Irlandës ka bërë shumë rrugë për të ndrequr gabimet e së kaluarës.” Dhe ndër lajmet e mira veçojmë edhe përgatitjen e 2.356 personave që mund t’i përkushtohen sigurisë së fëmijëve nëpër famullitë e të gjithë vendit, brenda muajve të ardhshëm. Po, “nuk ka vend për vetëkënaqje” - vë në dukje kardinali Bredi. “Përvoja tragjike e së kaluarës na kujton se është e nevojshme një vigjilencë e vazhdueshme. Në vitet që më mbesin si kryeipeshkëv i Armag – nënvizon kardinali Bredi – do t’i përkushtohem i tëri veprimtarisë për shërimin, pendimin dhe përtëritjen që Benedikti XVI po i tregon kishës irlandeze, duke u nisur nga përparimet e dukshme realizuar gjatë këtyre viteve për mbrojtjen e fëmijëve.”
Prelati i gjithë Irlandës, duket se ka ndërmend ta vazhdojë mandatin e tij, pas polemikave që kanë dalë në shesh gjatë muajve të kaluar në lidhje me përfshirjen e tij në mbulimin e një rasti pedofilie në vitet ’70, e pas keqardhjes që ai shprehu për mangësitë në punën e vet, më 17 marsin e kaluar, ditën e festës së Shën Patrikut, Pajtor i Irlandës.
Kardinali Bredi i kërkon ndihmë Papës në këtë deklaratë që të ndihmohet prej një ipeshkvi ndihmës për drejtimin e krizës së abuzimeve seksuale që ka përfshirë kishën e vendit të tij. Në raportin që u paraqit dje, Komisioni i ngarkuar, tregon me dokumente se, nga 1 prilli 2009 deri në 31 marsin e 2010, janë mbledhur afro 200 denoncime për abuzime. Të gjitha i janë përcjell autoriteteve civile.







All the contents on this site are copyrighted ©.