2010-05-18 15:27:18

90 vjet nga lindja e Shërbëtorit të Zotit, Gjon Pali II


(18.05.2010 RV)U përkujtua sot 90-vjetori i lindjes së Papës së paharruar Gjon Pali II. Në të gjithë botën, Kisha Katolike përshkoi jetën dhe veprat e Shërbëtorit të Zotit, që pret lumnimin, në aktivitete të ndryshme, seminare e mbrëmje tematike.
Në Romë, në Universitetin e Lirë të Zojës së Ngjitur në Qiell (LUMSA), u zhvillua takimi me temë “Papnia e papritur e Gjon Palit II”, organizuar nga Qendra Universitare Katolike e Konferencës Ipeshkvnore Italiane. U paraqitën rezultatet e një studimi mbi Romën, Italinë dhe botën në papninë e Gjon Palit II.
Po në kryeqytetin italian, në Universitetin Papnor “Regina Apostulorum” u mbajt një mbrëmje tematike me titull “Njeriu i ardhur nga larg. Homazh për Gjon Palin II”, organizuar sëbashku me Qendrën Paskal. Gjatë takimit, përveç kujtimit të Papës Vojtila, u dhanë infromacione edhe për Qendrën e Studimit “Gjon Pali II” brenda universitetit.
I impenjuar edhe universiteti shtetëror Roma Tre, ku sot paradite u zhvillua seminari me temë “Uragani Vojtila. Reagimet pas zgjedhjes së Gjon Palit II”. E para nga tre sesionet e punës u ndal në reagimet ndaj vendimit të Konklavës, në tetor 1978, nga ana e Evropës Perëndimore, sidomos të Francës, Gjermanisë, të sferës katolike italiane dhe të Italisë laike. Më pas, vëmendja u përqendrua në të dyja kampet e Perdes së Hekurt, me analizën e reagimeve të Bashkimit Sovjetik, Polonisë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Në pjesën e fundit të seminarit, u shqyrtuan vlerësimet e analistëve në Amerikën Latine, në Egjipt e në botën arabe, në Kinë e Japoni, duke i krahasuar me ato evropiane.

“Mos kini frikë! Hapjani, madje në dy kapakë, portat Krishtit! Pushtetit të Tij shëlbues hapjani kufijtë e shteteve, të sistemeve ekonomike dhe të atyre politike, fushat e gjëra të kulturës, të qytetërimit, të zhvillimit. Mos kini frikë! Krishti e di ç’ka brenda njeriu. Vetëm Ai e di!” (Gjon Pali II, homelia e meshës së fillimit të papnisë, 22 tetor 1978).
E kush nuk i kujton këto fjalë të Papës Gjon Pali II, në meshën e fillimit të papnisë, më 22 tetor 1978. Karol Jozef Vojtila, që lindi si sot, më 18 maj 1920 në Vadovice të Polonisë, ka qenë ipeshkvi i 264-t i Romës, papë i Kishës e kreu i Qytet-Shtetit të Vatikanit. U zgjodh papë më 16 tetor 1978 e menjëherë pas vdekjes, më 2 prill 2005, u hap procesi i lumnimit të tij. Benedikti XVI e shpalli “të nderuar” nga Kisha më 19 dhjetor 2009.
Gjon Pali II ka qenë i pari papë jo italian që prej 455 vjetësh, pra, që nga koha e hollandezit Adrian VI (1522-1523). Gjithashtu, ka qenë papa i parë polak e sllav i historisë.
Që në fillim të papnisë, Karol Vojtila ndërmori një fushatë të fuqishme kundër komunizmit dhe shtypjes politike e mund të konsiderohet, pa dyshim, një nga protagonistët e rënies së sistemit të socializmit real, të kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Qe kritik edhe kundër Teologjisë së Çlirimit, duke ndërhyrë disa herë në rastet kur eksponentë të klerit afroheshin me politikanët marksistë. Por qe i ashpër edhe më kapitalizmin e shfrenuar e me konsumizmin, të cilët i konsideronte të kundërt me drejtësinë shoqërore, me barazinë ndërmjet popujve e për këtë arsye, kundër dinjitetit të njeriut. Në fushën e moralit, kundërshtoi me forcë abortin e konfirmoi mësimet e Kishës mbi seksualitetin, celibatin e meshtarëve dhe meshtarinë femërore.
Mëse 100 udhëtimet e tij nëpër botë u karakterizuan nga pjesëmarrja e turmave të stërmëdha, që nuk ishin parë kurrë në takime me karakter fetar. Ky rrjet i madh kontaktesh, edhe me brezat e rinj, nëpërmjet Ditëve Botërore të Rinisë, u interpretua si qëllim i tij serioz për të ndërtuar ura ndërmjet kombeve e feve të ndryshme, në shenjën e ekumenizmit, pikë tjetër e rëndësishme e papnisë së tij.
Më 14 mars 2004, papnia e tij tejkaloi atë të Leonit XIII, si papnia e tretë më e gjatë në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.