2010-05-17 17:44:03

Skadoi ultimatumi qeveritar në Tajlandë. Këmishëkuqtë kërkojnë armëpushim.


(17.05.2010 RV)Gjakderdhje e re mund të ndodhë në Bangkok të Tajlandës, ku ushtria përgatitet të sulmojë manifestuesit antiqeveritarë. Ultimatumi i qeverisë për evakuimin e qendrës së kryeqytetit skadoi sot paradite në orën 10.00 (me orën e Shqipërisë). Deri tani, viktimat arrijnë në 30 vetë, ndërsa 300 të tjerë janë plagosur. Tensioni është në rritje. Kryeipeshkvi katolik i Bangkokut u bëri thirrje palëve të ulen në tryezën e bisedimeve. Edhe këmishëkuqtë i kanë kërkuar qeverisë armëpushim. Të dëgjojmë gazetarin italian Stefano Vekia, që ndodhet në Bangkok, pikërisht në shtabin e përgjithshëm të këmishëkuqëve antiqeveritarë:RealAudioMP3
Në këtë çast, gjendja është absolutisht dramatike… Dëgjohen vazhdimisht të shtëna. Unë nuk ndodhem në selinë qendrore, pasi është e ndaluar të hysh e nëse do të kisha shkuar, sapo të kisha dalë prej andej mund të më burgosnin për dy vjet. Gjendem në vendin ku dje u mblodhën këmishëkuqtë për t’i dhënë një të shtyrë reparteve të ushtrisë në jug të protestës. Sot në mesditë, qindra vetë dolën nga barrikadat dhe po ecin me flamujt tajlandezë deri ku të munden. Është një sfidë e hapur.
Pra, akoma nuk ka filluar kundërofensiva e ushtrisë për të spastruar qendrën. A dëgjohen të shtëna?
Nuk ka filluar akoma ofensiva, por ka luftime të ashpra në Prasong Road, që është rruga, e cila çon drejtpërdrejt në sektorin kryesor të protestës e andej priten tanket dhe trupat. Luftimet me këmishëkuqtë janë tepër të ashpra e që nga nata e kaluar kanë impenjuar të gjitha repartet e qeverisë, që avancojnë me vështirësi.
Pjesa më e madhe e viktimave të sotme ranë pre e çekinëve, të cilët, siç thuhet, nuk bëjnë pjesë në radhët e ushtrisë. A mund ta konfirmoni këtë lajm?
Ajo që mund të them, sepse natyrisht nuk ka burime zyrtare për këtë, është se na pohojnë – e duket e vërtetë – se ushtarët ua kanë lënë këtë punë, veçanërisht “të ndyrë”, grupeve rivale të këmishëkuqve. Thuhet se janë thirrur madje mercenarë kamboxhianë për të qëlluar kundër tajlandezëve.
A ekziston rreziku i një lufte civile?
Do të varet shumë nga zhvillimet e orëve të ardhshme. Në teori, ushtria, apo më mirë, qeveria në vështirësi, mund të kërkojë mbështetjen e grupeve besnike, monarkiste e nacionaliste, të ashtuquajturit “këmishëverdhë” e “këmishëshumëngjyrësh”. Që gjatë këtyre ditëve ata janë ndeshur me këmishëkuqtë, megjithëse në mënyrë të kufizuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.