2010-05-17 17:39:14

Papa në lutjen Mbretëreshës Qiellore: t’i shërbejmë Zotit radikalisht e me koherencë, duke luftuar mëkatin e tundimet e botës. 200 mijë vetë në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’i shprehur afërsinë Papës.


(17.05.2010 RV)Të rrënjosur në Zotin, të krishterët të luftojnë kundër tundimeve të botës: kjo ishte porosia që dha dje Benedikti XVI, para lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me shtegtarë e besimtarë, që iu përgjigjen plot entuziazëm ftesës së Konsultës Kombëtare të Bashkësive Laikale me këtë manifestim solidariteti për Papën. Benedikti XVI i ftoi 200 mijë besimtarët e pranishëm ta luftojnë mëkatin, i cili nganjëherë, për fat të keq, moleps edhe njerëzit e Kishës. Duke u ndaluar, pastaj, tek Solemniteti i djeshëm i të Shëlbuemit të Zotit, nënvizoi se Jezusi është gjithnjë pranë secilit nga ne e na prin në rrugën tonë të fesë së krishterë.

Ishte vërtetë një manifesim prekës feje e solidariteti, “i bukur e i vetvetishëm”: Benedikti XVI e quajti kështu, pas lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore, tubimin madhështor në Sheshin e Shën Pjetrit, të mijëra besimtarëve, që ngarendën dje nga mbarë Italia, për t’i shprehur afërsinë e tyre Papës, i cili ua ktheu me të njëjtën dashuri e mirënjohje, duke ngjallur një entuziazëm edhe më të madh ndërmjet besimtarëve, që shpërthyen në një stuhi duartrokitjesh e brohoritjesh:
“Ju falënderoj nga zemra, të dashur vëllezër e motra, për praninë tuaj të ngrohtë e të shumënumërt! Faleminderit!”.
Benedikti XVI përshëndeti besimtarët laikë italianë, shoqëruar nga kardinali Anxhelo Banjasko e, sidomos kujtoi emigrantët e shumtë, të mbledhur në Sheshin e Shën Gjonit në Lateran, së bashku me kardinalin mëkëmbës, Agostino Valini, për të kremtuar Festën e Popujve:
“Të dashur miq, ju sot i shprehni dashurinë e afërsinë e thellë të Kishës e të popullit italian Papës e meshtarëve tuaj, të cilët kujdesen çdo ditë për ju që, në impenjimin e përtëritjes shpirtërore e morale, të mund t’i shërbejmë gjithnjë e më mirë Kishës, Popullit të Zotit e të gjithë atyre, që na drejtohen ne, plot besim. Armiku i vërtetë, nga i cili duhet të kemi frikë, është mëkati, sëmundje shpirtërore, që nganjëherë, për fat të keq, u ngjitet edhe anëtarëve të Kishës”.
Jetojmë në botë, por nuk jemi të botës - kujtoi Papa - e shtoi: duhet të kemi shumë kujdes nga tundimet:
Duhet të kemi frikë nga mëkati e prandaj edhe duhet të jemi të rrënjosur fort në Zotin, të gatshëm për të bërë mirë, për të dashur, për të shërbyer. E pikërisht këtë kanë bërë gjithnjë e vijojnë ta bëjnë Kisha e meshtarët e saj, të bashkuar me besimtarët, për të mirën shpirtërore e materiale të njerëzve nga të katër anët e botës”.
E është pikërisht kjo – theksoi Papa, duke iu drejtuar besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit - që ju të gjithë përpiqeni ta bëni në famullitë, në shoqatat e në lëvizjet tuaja: t’i shërbeni Zotit e njeriut, në emër të Krishtit.
Prej këndej, ftesa për ta shikuar të ardhmen plot shpresë:
“Ta vijojmë së bashku me besim këtë rrugë, e provat, që Zoti i lejon, të na nxisin për një qëndrim edhe më radikal e më koherent. Është gjë e bukur ta shikosh sot këtë turmë vigane në Sheshin e Shën Pjetrit, ashtu si ishte tejet emocionante ta shikoje në Fatima oqeanin njerëzor që, në shkollën e Marisë, u lut për shndërrimin e zemrave. Po jua përsëris edhe ju sot këtë thirrje, i kënaqur nga prania juaj kaq e madhe”.
Para se t’i përshëndeste besimtarët, Papa u ndalua tek solemniteti i të Shëlbuemit. Episodi i ndarjes së Zotit nga dishepujt e vet – tha Ati i Shenjtë – nuk është braktisje, sepse Jezusi mbetet gjithnjë me ta, në një formë të re:
“Zoti e tërheq vështrimin e Apostujve drejt Qiellit, për t’u treguar si të ecin në rrugën e së mirës gjatë jetës së tyre tokësore. Po ai, gjithsesi, mbetet në zemër të historisë njerëzore, është pranë secilit nga ne e na prin në udhën tonë të krishterë: është shok udhe i të persekutuarve për shkak të fesë, është në zemër të të shtypurve, i pranishëm në njerëzit, të cilëve u mohohet e drejta për të jetuar”.
Më pas, duke kujtuar se dje kremtohej edhe Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore, Papa vuri theksin mbi temën e Mesazhit të tij të rastit: “Meshtari dhe veprimtaria baritore në botën dixhitale: mjetet e reja të komunikimit, në shërbim të Fjalës së Zotit”:
“U përsëris, pastaj, ftesën time të posaçme, vëllezërve në meshtari, që në jetën dhe veprimtarinë e tyre të dallohen për një dëshmi të fuqishme ungjillore e të dinë t’i përdorin me urti edhe mjetet e komunikimit, për ta bërë të njohur jetën e Kishës e për t’i ndihmuar njerëzit e sotëm të zbulojnë fytyrën e Krishtit”.
Duke na hapur rrugën për në qiell, Jezusi na bën ta parashijojmë që në këtë tokë, jetën hyjnore – shtoi Papa – e përfundoi me një kujtim tejet prekës, nga vizita e tij në Shenjtëroren e Fatimës:
“Falënderoj Virgjërën Mari, që pak ditë më parë munda ta nderoj në Shenjtëroren e Fatimës, për mbrojtjen e saj amtare, gjatë shtegtimit të madh në Portugali”.







All the contents on this site are copyrighted ©.