2010-05-17 17:39:31

Në Sheshin e Shën Pjetrit, lutja drejtuar nga kardinali Banjasko, për Atin e Shenjtë e viktimat e shpërdorimeve.


(17.05.2010 RV)Para lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore, shumë nga besimtarët, ardhur nga mbarë Italia që në orët e para të paradites, për t’i shprehur Papës afërsinë e tyre, u lutën edhe për viktimat e shpërdorimeve. Çasti i lutjes, organizuar nga Konsulta Kombëtare e Shoqatave Laikale, u kryesua nga kardinali Anxhelo Banjasko, kryeipeshkëv i Gjenovës e kryetar i Konferencës ipeshkvnore italiane. Besimtarët ripohuan kështu fenë e tyre, të vetëdijshëm se pikërisht në çastin e provës, populli i Zotit shtrëngohet edhe më fort e pa asnjë ngurrim, rreth Bariut të vet.
Ishte, pra, lutje e njëzëshme e besimtarëve, mbledhur rreth Kryebariut, për ta mbështetur në shërbimin e tij impenjativ, me dashuri e afërsi, në një situatë, që e bën të vuajë bashkë me Krishtin e të mbartë në shpirt dhimbjen e mbarë njerëzimit, por njëkohësisht, përpjekje për t’u shprehur afërsinë edhe viktimave të shpërdorimeve:
“Lutja jonë është mënyrë e zgjedhur, për ta bërë të dukshme e të frytshme afërsinë e mbarë Kishës ndaj Papës e ndaj njerëzve, që vuajtën për shkak të atyre, të cilët duhet të ishin figura e Krishtit, bariut të mirë”.
Prekës edhe çasti i kryesuar nga Kardinali Banjasko, kryetar i KII, i cili iu drejtua Zotit, duke i lypur mëshirë e ndjesë për mëkatet, pastrim e forcë për mbarë Kishën:
“O Zot i gjithëpushtetshëm e i amshuar, ngushëllimi i të munduarve, mbështetja e të mjeruarve, dëgjoje britmën e atyre, të cilët vuajnë, e bëj të gjejnë drejtësi e ngushëllim, në mënyrë që, duke marrë pjesë në jetën e Kishës sate, të pastruar nga pendesa, të mund të rizbulojnë dashurinë e pakufishne të Krishti, Birit tënd”.
Pastaj, leximi i homelisë së Benediktit XVI në Meshën për fillimin e papnisë, nga e cila vijon të jehojë ftesa për falje, dashuri, shërbim dhe uratët e besimtarëve për viktimat e shpërdorimeve, për familjet e tyre e për të gjithë meshtarët. Në fund, lutja drejtuar Shpirtit Shenjt, që të jetë gjithnjë mbi Kishën e Krishtit e që populli i Zotit ta dëshmojë me forcë gjithnjë më të madhe, Ungjillin, i udhëhqeur nga bariu i tij i dashur.







All the contents on this site are copyrighted ©.