2010-05-17 18:12:06

Mesazh i dikasterit për Dialogun Ndërfetar, me rastin e Vesakh: “Të krishterë e budistë së bashku për të forcuar ‘vetëdijen ekologjike”.


(17.05.2010 RV)Bota ka nevojë ta kuptojë thellësisht përgjegjësinë ekologjike; përpjekjet e përbashkëta të budistëve e të krishterëve mund të kontribuojnë për ta bërë konkret jo vetëm respektin për natyrën por, më në përgjithësi, për jetën e dinjitetin e njeriut. Kështu shkruan kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, në mesazhin tradicional të urimeve, drejtuar me rastin e festës budiste të Vesakh.
Në vitin 2010 kjo festë kremtohet më 21 e 28 maj në shumë vende të Azisë.
“Nuk mund të nderohet me të vërtetë jeta njerëzore, duke shfrytëzuar pa kujdes, ose edhe më keq, duke shkapërderdhur pasuritë e tokës, ku banon mbarë njerëzimi”. Është kjo zemra e reflektimit të kardinalit Toran për festën e Vesakh, kremtim i fundmajit, në të cilin budistët përkujtojnë ndriçimin e Budës. Kriza ambientale – vijon Hirësia e Tij – krijon probleme të vështira e vuajtje të mëdha në mbarë botën. Përballë kësaj situate, të krishterët e budistët, të cilët kanë të njëjtin respekt të thellë për jetën, e shikojnë si veprimtari me rëndësi të dorës së parë inkurajimin e të gjitha forcave, që synojnë krijimin e ndjenjës së përgjegjësisë ekologjike si dhe afirmimin e bindjeve të përbashkëta për paprekshmërinë e jetës njerëzore, në çdo fazë e kusht, për dinjitetin e njeriut e misionin e familjes së vetme, në të cilën mësohet të duash të afërmin e të respektosh natyrën.

Duke kujtuar disa nga pohimet e Benediktit XVI për temën e respektimit të Krijimit, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar ripohon se Kisha katolike e shikon mbrojtjen e ambientit lidhur ngushtë me temën e zhvillimit të gjithanshëm të njeriut e se, nga ana e saj, nuk impenjohet vetëm në mbrojtjen dhe destinacionin universal të dhuratave të tokës, të ujit e të ajrit, por inkurajon edhe të tjerët të bashkojnë forcat në krijimin e vetëdijes ekologjike, për të mbrojtur njerëzimin nga vetëshkatërrimi.“Të promovojmë, së bashku, lidhje korrekte ndërmjet njerëzve e mjedisit – nxit në përfundim kardinali Toran. Duke shumëfishuar përpjekjet tona për krijimin e vetëdijes ekologjike në shërbim të bashkëjetesës së qetë e paqësore – pohon - mund të japim dëshminë e stilit, që e respekton jetën, që e gjen kuptimin e saj jo në përpjekjen për të pasur më shumë, por për të qenë më shumë. E, përveç kësaj, duke i ndarë bashkë perspektivat dhe impenjimet e traditave tona përkatëse fetare, mund të japim ndihmesën tonë për mirëqenien e mbarë botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.