Festa e të Shëlbuemit, na kujton se çdo njeri është i thirrur për jetën e pasosur.
Këtë të diel Kisha kremton festën e të Shëlbuemit, solemnitetin që kujton se çdo njeri
është i thirrur për jetën e pasosur. Me festën e të Ngjiturit të Krishtit
në Qiell, kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit ndërmjet njerëzve, që
u pasua me përhapjen e krishterimit në mbarë botën. Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme
ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Në
se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj”
- kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni. Në këtë festë,
bashkësia e krishterë është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas
ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e
u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai na e rihapi udhën drejt atdheut
tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të tij, na ndihmon
në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Me këto fjalë kujtojmë domethënien
e solemnitetit të të Shëlbuemit. “Dyzet ditë pasi u qe dukur Apostujve me pamjen
e tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumninë e të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi
i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri në të djathtën e Atit. Ai është
Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në lumninë e amshuar të Birit të Hyjit
e ndërmjetëson pareshtur në favor tonë pranë Atit. Na dërgon Shpirtin e Tij e na jep
shpresë se një ditë do të arrijmë në vendin që Ai na e ka përgatitur:
Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’, Ai na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet
prej nga erdhi, domethënë tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç
kësaj, Krishti ngjitet në qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e
ngjalli prej së vdekurve: kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e
hyjnizuar, e amshuar. Prandaj themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur
në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri e dashurisë, e dritës, e paqes.
Duke kremtuar festën e të Shëlbuemit, ne duhet të jemi të sigurtë se Zoti nuk është
larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush.
Ai e ka ngritur çadrën (tendën) e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej
nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej
nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin,
edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!