2010-05-14 17:51:55

Përfundoi vizita e Papës në Portugali: Të përtërirë nga dashuria të punojmë për shndërrimin e botës.


Benedikti XVI e përfundoi udhëtimin në Portugali duke ripohuar se Kisha është e gatshme për të dialoguar me kulturat e fetë. Të përtërirë nga dashuria të punojmë për shndërrimin e botës. Papa nënvizoi aktualitetin e misionit profet të Shenjtërores së Zojës së Bekuar të Fatimes para zemërngushtësisë së egoizmit të kombit, racës, ideologjisë, grupeve apo individëve.
“Uroj që ky komb i lavdishëm të vijojë ta shprehë madhështinë e shpirtit të vet, dashurinë e thellë për Zotin e frymën solidare, të trashëguar nga parimet e vlerat e humanizmit të krishterë”: janë fjalët e Papës në ceremoninë e ndarjes nga Portugalia, shqiptuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Portos.
 
Vijojmë të ecim në shpresë. Mirupafshim! Me këto fjalë Papa i dha lamtumirën Portugalisë, në përfundim të shtegtimit, që u karakterizua nga një mikpritje triumfale, e cila e preku thellë Atin e Shenjtë. Nga aeroporti ndërkombëtar i Portos, duke pasur parasysh sfidat, që e presin vendin, Papa e ftoi Portugalinë për harmoni e lidhje të ngushtë, sepse vetëm kështu mund të përballohet çdo vështirësi:
Në Fatima – nënvizoi Papa - u luta për botën mbarë, për një ardhmëri me frymë vëllazërimi e solidariteti, respekti reciprok e besimi të plotë, të palëkundur, në çdo situatë, tek Ati ynë që është në qiell.
Duke kujtuar të gjitha takimet që pati në Lisbonë, Fatima e Porto, Papa shprehu dëshirën që vizita e tij të bëhet shtysë për përtëritjen e zjarrit shpirtëror e apostolik, që Ungjilli të pranohet në tërësinë e tij e të dëshmohet me pasion nga çdo dishepull i Krishtit, duke u bërë tharm i përtëritjes së vërtetë shpirtërore e apostolike të mbarë shoqërisë.
Presidenti i Republikës, Këvako Silva, e përshëndeti Benediktin XVI duke theksuar se Portugalinë do ta marrë malli për Papën, ndjenjë që e pushton vetëm kur ndahet nga njerëzit, që i do me gjithë zemër: “a saudade!”. Në përfundim, Benedikti XVI u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar “Sà Carniero’ i Portos, për në Aeroportin romak të Çampinos, ku Papa arriti rreth orës 18.00.







All the contents on this site are copyrighted ©.