(13.05.2010 RV)Provania hyjnore i lidhi dukjet e Zojës në Fatima edhe me jetën
e Gjon Palit II, me atentatin e 13 majit 1981. E edhe për këtë Zoja e Fatimës njihet,
nderohet e duhet nga mbarë bota. Nuk është gabim po të themi se në zemrën plot
devocion marian të një pape si Gjon Pali II, festa e Zojës së Fatimës zuri një vend
të privilegjuar, përshkoi gjithë papninë me një parabolë të veçantë, duke nisur nga
faqja dramatike e 13 majit 1981 e duke përfunduar simbolikisht në Fatima me vizitën
në Shenjtërore në vitin 2000. Faqe e jashtëzakonshme edhe kjo e fundit. Zbuloi sekretin
e tretë të Fatimës, në të cilin përfshihej vegimi i "Ipeshkvit të veshur me të bardha,
që binte përdhé si i vdekur, nën goditjet e një arme zjarri". Kthehemi simbolikisht
në pasditen e së mërkures, 13 maj 1981. Është festa e Zojës së Fatimës. Gjon Pali
II, prej tri vjetësh në fronin e papnisë, përshkon ngadalë Sheshin e Shën Pjetrit:
papritmas lëkundet i gjakosur, ndërsa një zë gjarpëron ndërmjet njerëzve dhe i shndërron
buzëqeshjet në lot: "Kanë qëlluar Papën!" Zhurma e turmës kthehet në një heshtje të
thellë. Priten lajme. Dora që ka qëlluar është e turkut 22 vjeçar, Ali Agça. Vrasësi
arrestohet nga shërbimi i sigurisë. Ndërsa Papa transportohej me shpejtësi në Poliklinikën
Gemelli me një plumb që i kishte përshkuar zorrët, atentatori nisej drejt burgut romak
"Regina Coeli". Gjon Pali II rrezikonte të vdiste gjatë rrugës për në spital, ku
iu nënshtrua një operacioni të gjatë e delikat, në sajë të të cilit mundi të mbijetonte.
Gjon Pali II ka pohuar gjithnjë se mundi të shpëtonte nga vdekja në sajë të ndërmjetësimit
të Zojës së Fatimës, festa e së cilës bie pikërisht më 13 maj, në kujtim të 13 majit
1917 kur iu duk për herë të parë, në Kova da Iria, tre barinjve të vegjël portugezë:
Luçisë, Françeskut e Xhaçintës. Mesazhi që u përcolli Zoja barinjve të vegjël mbetet
aktual: është mesazhi i paqes; ashtu si shenjtërorja e Fatimës është shenjtërore e
paqes, djep i paqes. Në atë Shenjtërore ruhet plumbi, që e përshkoi Papën, ngërthyer
si stoli e çmuar, në aureolën e kurorës së shtatores së Zonjës. Ruhet edhe një copë
nga muri i Berlinit, që tregon se Zoja ngadhënjeu edhe atje, ku perdja e hekurt e
ateizmit dukej e pakapërcyeshme. E bota, që edhe sot tronditet rëndë nga konfliktet,
nuk duhet ta harrojë porosinë e Zojës: lutjen për paqe, sepse paqja është dhuratë
që vjen nga qielli, dhuratë e Zotit.