Dëshmia e shenjtërimi i jetës për të qenë shembull në shoqëri, në qendër të takimit
të Papës me ipeshkvijtë portugezë.
(13.05.2010 RV)S’ka pak që ka përfunduar edhe takimi i fundit i ditës së sotme
të Benediktit XVI në Fatima të Portugalisë, ai me ipeshkvijtë e vendit. Papa preku
temat më të rëndësishme për të ardhmen e misionit të Kishës, duke përmendur shkarazi
problemet e kohëve të fundit, por duke treguar rrugëdaljet gjatë gjithë fjalimit të
tij: “Kohët, në të cilat jetojmë, kërkojnë një gjallëri të re misionare të
të krishterëve, të thirrur të formojnë një laikat të pjekur, që identifikohet me Kishën,
solidar me shndërrimin e ndërlikuar të botës. Kemi nevojë për dëshmitarë të vërtetë
të Jezu Krishtit, sidomos në ato ambiente, ku heshtja e fesë është më e madhe dhe
më e thellë: politikanët, intelektualët, profesionistët e komunikimit, që nxisin monokulturën,
me përçmim për përmasën fetare e kundruese të jetës”. Por Fjala e Zotit, theksoi
Papa, nuk mund të lidhet me zinxhirë. Këtë e tregojnë lëvizjet e reja të krishtera,
që edhe në një moment të vështirë për Kishën, punojnë e përhapen me guxim. Por shpallja
e Lajmit të Mirë ka nevojë për njerëz, që e shenjtërojnë jetën: “Kur shumë
ndjejnë se feja katolike nuk është më pasuri e përbashkët e shoqërisë dhe shpesh,
shihet si një farë e sulmuar dhe e fshehur nga “hyjnitë” e zotërinjtë e kësaj bote,
është e vështirë që ajo të prekë zemrat përmes fjalimeve, apo thirrjeve për moral
e aq më pak, përmes thirrjeve të përgjithshme për vlera të krishtera… Shpallja e thjeshtë
e mesazhit nuk arrin deri në fundin e zemrës së njerëzve, nuk e prek lirinë e tyre,
nuk e ndryshon jetën. Ajo që mahnit është sidomos takimi me njerëz besimtarë që, përmes
fesë, tërheqin edhe të tjerët drejt hirit të Krishtit, duke e dëshmuar”. Kjo
është një nga detyrat e ipeshkvijve, theksoi Benedikti XVI. Ata nuk janë thjesht njerëz,
që kanë një detyrë, por janë bartës të karizmave, përgjegjës për hapjen e dyerve të
Kishës para veprimit të Shpirtit Shenjt. Janë pikërisht ipeshkvijtë, ata që duhet
të udhëheqin lëvizjet e ndryshme të krishtera, duke u dhënë autonominë, për të cilën
kanë nevojë, por edhe duke i mbajtur të lidhur fort pas Kishës, në mënyrë që ta përtërijnë
atë. Pastaj, Papa u tërhoqi vëmendjen për marrëdhëniet me meshtarët: “Për një
kohë tepër të gjatë, është vënë në plan të dytë, përgjegjësia e autoriteteve si shërbim
për rritjen shpirtërore të të tjerëve, para së gjithash, të meshtarëve… Nuk është
kthim në të kaluarën, as kthim i thjesht në zanafillë, por tek pasioni i zanafillës,
tek gëzimi i fillimit të përvojës së krishterë, duke e lënë veten në shoqëri të Jezusit,
si dishepujt e Emausit ditën e Pashkëve, duke e lejuar fjalën e Tij të na ngrohë zemrat,
“bukën e thyer” të na hapë sytë për të kundruar fytyrën e Krishtit. Vetëm kështu,
zjarri i bamirësisë e i dashurisë do të jetë aq i ndezur, sa ta shtyjë çdo besimtar
të përhapë dritë e jetë në Kishë e në mesin e njerëzve”.