2010-05-13 17:26:42

Benedikti XVI: mesazhi profetik i Fatimës nuk ka marrë fund. Zoti ka fuqi t’i ndezë flakë edhe zemrat më të ftohta e më të trishtuara.


(13.05.2010 RV)Sot paradite, në ditën e tretë të shtegtimit të tij apostolik në Fatima, Papa Benedikti XVI kremtoi Meshën shenjte në Solemnitetin e Virgjërës Mari në sheshin e Shenjtërores në prani të mëse 500 mijë shtegtarëve që kishin ardhur pikërisht për këtë festë. Gjatë homelisë Papa tha se misioni profetik i Fatimës nuk ka përfunduar ende: thirrja e Marisë për pendesë e ruan urgjencën e saj. Dashuria përdëllimtare e Jezusit, shtoi ai, është shpresa jonë. Zoti ka fuqi t’i ndezë flakë edhe zemrat më të ftohta dhe më të trishtuara.RealAudioMP3
Figurja e shkëlqyeshme dhe prekëse e Virgjërës, mbi një jastëk lulesh, përshkoi sheshin e Fatimës mbajtur në krah nga tre ushtarë të forcave të armatosura portugeze, shoqëruar nga valëvitja e mijëra flamujve dhe e shamive të shtegtarëve të panumërt nga Portugalia dhe shtete të ndryshme evropiane. Feja e tyre e gjallë sfidoi të ftohtin dhe rrebeshet e shpeshta pranverore, vetëm e vetëm për t’u shtrënguar më pranë Papës që ka ardhur si shtegtar në Fatima, te këmbët e Zojës.
I pranishëm në Meshë edhe presidenti i republikës portugeze Këvako Silva. Gjatë homelisë Benedikti XVI shpjegoi arsyet e shtegtimit të tij: për t’u lutur bashkë me Marinë për njerëzimin tonë të cfilitur nga vuajtjet dhe hallet dhe për t’ia besuar Zojës mesazhin se ai e “do” Jezusin, se Kisha dhe meshtarët e “duan” dhe nuk do t’i shqitin sytë nga Ai, pikërisht tani që viti meshtarak po mbyllet, dhe për t’ia besuar meshtarët dhe të gjithë personat e shuguruar Marisë.
Barinjtë – pohoi Papa Benedikti XVI – u dashuruan pas Zotit nëpërmjet Jezusit, falë Dukjeve të Virgjërës Mari, por kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një ngjarje që ka ndodhur para 93-vjetëve, dhe aq, por, se Zoti vetë vjen tek ne, duke iu ofruar vegimit tonë të brendshëm.”Shpresa e jonë – tha Papa – ka një bazë reale, mbështetet tek një ngjarje që zë vend real në histori e që në të njëjtën kohë e tejkalon historinë: është Jezusi i Nazaretit”.
“Feja në Zotin – tha Ati i Shenjtë – i hap njeriut horizontin e një shprese të sigurtë, që nuk të zhgënjen; tregon një themel të shëndoshë mbi të cilin mund të bazosh, pa druajtje, jetën tënde; kërkon që ta lëshosh krejtësisht vetveten, me plot besim, në duart e Dashurisë që mbarështon botën.”
Benedikti XVI vijoi të flasë pastaj për jetën e Barinjëve për të treguar sesi afërsia e Zotit e bën jetën më vëllazërore, më të gëzueshme, më komunitare. “Në fakt, Zoja i ndihmoi që t’ia hapin zemrën dashurisë së paskajshme”, sikurse e lumja Xhaçintë, e palodhur me të varfërit dhe në sakrifica për kthimin në fe të mëkatnorëve. Vetëm me këtë dashuri vëllazërore – theksoi Papa – do të arrijmë të ndërtojmë qytetërimin e Dashurisë dhe të Paqës”. Kjo nuk është një faqe e mbyllur e historisë. Është një sfidë për brezin e tashëm, një sfidë për botën e sotme. Misioni profetik nuk ka përfunduar ende, tha Papa.
“Me familjen njerëzore, e gatshme të sakrifikojë lidhjet e saja më të shenjta në altarin e egoizmave shpirtngushtë të kombit, të racës, të ideologjisë, të grupit, të individit, prej Qiellit erdhi edhe Nëna jonë e bekuar që mbjell në zemrat e atyre që i besojnë Dashurinë për Zotit që gjallon në zemrën e Saj. Në atë kohë ishin vetëm tre vetë, shembulli i jetës i të cilëve u përhap dhe u shumëfishua në grupe të panumërta nëpër të gjithë rruzullin, në veçanti pas kalimit të Virgjërës Shtegtare, të cilët i janë përkushtuar çështjes së solidaritetit vëllazëror. Këto shtatë vjet që na ndajnë nga njëqindvjetori i Vegimeve le ta përshpejtojnë triumfin e Zemrës së Papërlyer të Zojës për nder e lavd të Trinisë Shenjte”.
Në fund të Eukaristisë Papa Racinger bekoi dhe iu tha një fjalë ngushëlluese të sëmurëve. Një shpresë që e bën kuptimplote vuajtjen e cila, nëse përjetohet me Krishtin, shërben për shpëtimin e vëllezërve. Krishti – shtoi Papa Racinger – deshi më mirë të thërrasë secilin ta ndjekë me kryqin e vet sesa të na shpjegojë arsyet e vuajtjes.
“Eja me mua. Merr pjesë me vuajtjen tënde në këtë punë të madhe të shpëtimit të botës, që realizohet nëpërmjet vuajtjes sime, nëpërmjet Kryqit tim. Sa më shumë e përqafon kryqin tënd – tha Papa – duke u bashkuar shpirtërisht me Kryqin tim, përpara syve të tu do të zbulohet domethënia shpëtimtare e vuajtjes. Do të gjesh tek vuajtja paqën e brendshme e deri edhe gëzimin shpirtëror.”
Në fund, Papa përshëndeti në gjuhë të ndryshme grupet e shtegtarëve të pranishëm në Fatima.
Cari fratelli e sorelle, da Fatima, dove la Vergine Maria ha lasciato un segno indelebile del suo amore materno, invoco la sua protezione su di voi, sulle vostre famiglie, specialmente su quanti sono nella prova. Vi benedico di cuore!
Të dashur vëllezër dhe motra, - tha Papa - nga Fatima, ku Virgjëra la një shenjë të pashlyeshme të dashurisë së saj prej nëne, po lypi mbrojtjen e saj për ju, për familjen tuaja, veçanërisht për ata që janë në sprovë. Ju bekoj me gjithë zemër.
Dielli i vakët dhe një ylber që u shfaq në qiell ishin sfondi i kremtimit të Meshës, simbol i aleancës që Virgjëra Mari përsërit me njerëzimin nëpërmjet të shfaqurave të saja.

Dhe tani ja dëshmitë e disa shtegtarëve të pranishëm në sheshin e Shenjtërores në Fatima:RealAudioMP3

Pyetje: Me ç’shpirt keni ardhur këtu në Fatima për këtë Meshë të Benediktit XVI?

Përgjigje: Me një shpirt mbushur plot gëzim, plot hare. Po e përjetojmë bashkë me Papën dhe jemi pranë në këtë vend ku, para tij pat ardhur Gjon Pali II, dhe ku duam të falenderojmë Zojën për të gjitha dhuratat dhe hiret që nxjerrim prej saj.

Pyetje: Çfarë përfaqëson për ju Zoja e Fatimës?

Përgjigje: Për ne përfaqëson Nënën, Atë që na shoqëron çdo ditë të jetës sonë dhe na ngushëllon. Nëna Ngushëlluese në travaje, por edhe edhe Ajo që na jep shumë gëzim dhe siguri që është gjithmonë me ne dhe na shoqëron.
Pyetje: Këtu me ne është edhe një e re që është e pranishme në Meshën e Papës...

Përgjigje: Unë kam bërë edhe shumë shtegtime të tjera, por për mua është gjithmonë një gëzim i madh të ndjek pas Atin e Shenjtë. Këto shtegtime na japin shumë paqë, edhe për të pranuar atë që është jeta e jonë dhe historia e jonë. Në fund, pastaj, kthehemi nëpër shtëpitë tona, në familjet tona, me zemër plot.







All the contents on this site are copyrighted ©.