2010-05-12 15:58:24

Takimi festiv me të rinjtë. Papa: vijoni të besoni në forcat e në lutjet tuaja.


(12.05.2010 RV)Dita e parë e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI përfundoi dje me takimin festiv, në të cilin morën pjesë mijëra të rinj, të mbledhur para nunciaturës apostolike të Lisbonës, në pritje të përshndetjes së Atit të Shenjtë.RealAudioMP3
E pritja e tyre ishte plot gëzim, këngë, lutje, meditim mbi Ungjillin. Medituan mbi fragmentin, shkëputur nga Ungjilli i Lukës, në të cilin Jezusi i thërret dishepujt pranë liqenit të Gjenezaretit, ku i drejton Pjetrit ftesën për të dalë në det të hapur e për t’i hedhur rishtas rrjetat për peshkim. Pjetri është dyshimtar: tashmë dita ka zbardhur e ata janë rrekur gjithë natën, pa mundur të zënë asnjë peshk. Por, sipas fjalës së Zotit, ai i hedh rishtas rrjetat. E zë një sasi të panumërt peshqish. Pas leximit të Ungjillit, të rinjtë nisin përsëri këngën e, mes tingujve të saj rinorë, Papa duket në ballkon për t’i përshëndetur:
“Queridos amigos…
Të dashur miq – u thotë Papa – e vlerësova pjesëmarrjen plot gjallëri të shumë të rinjve gjatë Eukaristisë, ditën time të parë në Portugali. Dhatë provën tuaj të fesë e të vullnetit për ta ndërtuar ardhmërinë mbi bazën e Ungjillit të Krishtit”.
“Obrigado pelo testemunho jubiloso que prestais a Cristo...”
Ju falënderoj për dëshminë gazmore, që i jepni Jezusit, përjetësisht të ri, e për ngrohtësinë, me të cilën e pritët Mëkëmbësin e tij të varfër mbi tokë, me këtë takim mbrëmësor. Erdhët të më uroni natën e mirë e ju falënderoj me gjithë zemër – vijoi me shaka Papa – por tani duhet të më lini të fle, pëndryshe nata nuk do të jetë e mirë, e, mos harroni, na pret dita e nesërme!
Continuo a contar convosco e com as vossas orações...
Vijoj të besoj fort tek ju e tek lutjet tuaja, që kjo vizitë në Portugali të jetë plot me fryte... Natën e mirë! Mirupafshim nesër!
Mirupafshim nesër - e nesër është një ditë e re, e ngarkuar me veprimtari për Papën, që, paradite, do të kremtojë Meshën Shenjte në Sheshin e Shenjtërores së Fatimës, ndërsa pas drekës në mensën e madhe të “Casa Nossa Senhora do Carmo’ të Fatimës, me ipeshkvijtë e Portugalisë, do të takohet me organizatat e baritorisë shoqërore në Kishën “SS.Ma Trinidade” të Fatimës e me ipeshkvijtë e Portugalisë, në Sallën e Konferencave të “Shtëpisë së Zojës së Karmos”, në Fatima. E ne, me mikrofonin tonë do të jemi pranë tij, duke ju ftuar edhe ju, të dashur dëgjues, ta ndiqni Atin e Shenjtë në ditën e tretë të shtegtimit të tij në Portugali!
 







All the contents on this site are copyrighted ©.