2010-05-12 15:58:01

Papa në takimin me njerëzit e kulturës: misioni parësor i Kishës është ta mbajë zgjuar kërkimin e së vërtetës, në dialog me botën.


(12.05.2010 RV)Ditën e dytë të shtegtimit apostolik në Portugali, Papa e filloi me Meshën Shenjte, kremtuar privatisht në kapelën e nunciaturës apostolike të Lisbonës.
Në orën 10 nisi takimi me botën e kulturës, në “Qendrën Kulturore të Belém” të Lisbonës, ku Papa mbajti një fjalim programatik, drejtuar përfaqësuesve të fushave të ndryshme të kulturës portugeze.
“Shpesh shoqëria aktuale interesohet vetëm për të sotmen, duke e harruar traditën e fuqishme kulturore të popullit portugez, mbi të cilën kanë lënë vulën e vet të pashlyeshme më se një mijë vjet krishterimi – theksoi Papa – dhe në vijim e quajti këtë traditë “dije”, që i jep kuptim jetës e historisë e që formoi një univers etik, të cilin Portugalia u përpoq gjithnjë ta lidhë me pjesën tjetër të botës. Ky ‘konflikt’ ndërmjet traditës e së sotmes shprehet në krizën e së vërtetës, vërejti Papa:
Një popull, që nuk e di më cila është e vërteta e tij, humbet në labirintet e kohës e të historisë, pa vlera të përcaktuara drejtë e pa qëllime, të formuluara qartë. Atëherë Kisha zë vend në botë, duke e ndihmuar shoqërinë të kuptojë se kumtimi i së vërtetës është shërbim, që ajo ia ofron vetë shoqërisë, duke i hapur, për të ardhmen, horizonte të reja madhështie e dinjiteti. Kisha e shikon misionin e kumtimit të së vërtetës, si një nga detyrat e saj kryesore:
Për një shoqëri, të përbëbërë kryesisht nga katolikët, kultura e të cilëve përshkohet thellësisht nga kristianizmi, do të ishte tejet dramatike përpjekja për ta kërkuar të vërtetën larg Jezu Krishtit. Për ne, të krishterët, e Vërteta është hyjnore; është ‘Logos’, ‘Fjala’ e amshuar, që u shpreh me gjuhë njerëzore në Jezu Krishtin. Kisha, e lidhur thellë e në mënyrë të pashkëputshme me të vërtetën e amshuar, duhet të mësojë edhe zanatin e lidhjes me të vërtetat e tjera e me të vërtetat e të tjerëve, në një dialog, që mund t’ia hapë portat së vërtetës. Dialogu pa dykuptimësi e plot respekt nga ana e palëve, që marrin pjesë në të – tha Papa – sot është detyrë e dorës së parë në botë, detyrë nga e cila Kisha nuk e ka ndër mend të heqë dorë. Dëshmi për këtë është prania e Selisë së Shenjtë në organizma të ndryshme ndërkombëtare, për shembull, në Qendrën Verijug të Këshillit të Evropës, themeluar 20 vjet më parë pikërisht në Lisbonë, për t’i dhënë një shtytje të re dialogut ndërkulturor ndërmjet Evropës, jugut të Mesdheut e Afrikës. Si të jemi bindur se bota e sotme është plot larmi kulturore, duhet punuar që njerëzit jo vetëm ta pranojnë ekzistencën e kulturës së tjetrit, por të kenë edhe dëshirë të pasurohen prej saj e edhe ta pasurojnë me vlerat e tyre më të mira, më të bukura, më të vërteta.
Në përfundim Bendikti XVI u foli drejtpërdrejt përfaqësuesve të shoqërisë civile portugeze, duke i ftuar t’i zgjërojnë horizontet e njohjes e të impenjimit njerëzor, në dialog me besimtarët, me Kishën e pas-Koncilit:
"Ju, punonjës të kulturës – u tha Papa, duke kujtuar fjalimin e tij të nëntorit të kaluar me artistët - mos kini frikë të ballafaqoheni me burimin e parë e të fundmë të bukurisë, të dialogoni me besimtarët, me ata që, ashtu si ju, e ndjejnë veten shtegtarë në botë e në histori, gjithnjë për udhë drejt Bukurisë së Pambaruar!
Me Koncilin II të Vatikanit, Kisha, duke u nisur nga vetëdija e re e traditës katolike, i merr seriozisht e i dallon, i shndërron e i kapërcen kritikat, që janë në bazë të forcave, të cilat karakterizuan modernitetin, ose Reformën e Iluminizmin. Koncili krijoi parakushtet për përtëritjen e vërtetë katolike e për qytetërimin e ri – “qytetërimin e dashurisë” – si shërbim ungjillor për njeriun e shoqërinë:
Kisha – përfundoi Papa – e shikon si mision të dorës së parë, në kulturën e sotme, përpjekjen për ta mbajtur zgjuar kërkimin e së vërtetës e, si pasojë, të Zotit e i fton të gjithë ta njohin më thellë Hyjin, ashtu si u zbulua në Jezu Krishtin, për realizimin tonë të plotë".

Në përshëndetjen e shkurtër, që i drejtoi Papës, regjisori Emanuel Oliveira, 102 vjeç, më i madhi kineast portugez, ende i gjallë, një nga figurat më të spikaturs të kinemasë evropiane, theksoi se Feja e Arti i drejtohen shpirtit të njeriut dhe universit e se krishterimi i dhuroi botës shprehje të panumrta artistike. “Rrënjët e kombit portugez e të mbarë Evropës - vërejti Oliveira – do s’do, janë krishtera”.







All the contents on this site are copyrighted ©.