2010-05-12 17:35:14

Fatima


(12.05.2010 RV)Fatima është toponimi arab i një fshati, që ndodhet pothuajse në zemër të Portugalisë, 120 kilometra në veri të kryeqytetit, Lisboa. Qyteza e Fatimës, me rreth 8 mijë banorë, lidhet ngushtë me ngjarjen e jashtëzakonshme të vitit 1917, kur Zoja e Bekuar iu duk tre barinjve të vegjël: Luçisë (10 vjeçe), Françeskos (9 vjeç) e motrës së tij, Xhaçintës (7 vjeç). Në vendin e dukjeve, që quhet Kova da Iria, u lartua Shenjtërorja, në mes të “Rrethores së Lutjes”, një shesh i gjërë (540x160 metra), mbi të cilin u ngritën një mori ndërtesash. Në skajin verior u ngrit Bazilika, pranë së cilës, Shtëpia e ushtrimeve shpirtërore “Nossa Senhora do Carmo”, ndërsa në skajin e kundërt, Shtëpia e ushtrimeve shpirtërore “N.S. das Dores”, ku ndodhet edhe Rektorati i Shenjtërores si dhe zyrat administrative. Në se qëndrojmë përballë Bazilikës, në të majtë të saj do të sodisim “Kapelën e Dukjeve” (Capelinha), ku që më 1920 nderohet një shtatore e Virgjërës Mari, e punuar në dru kedri brazilian. Kapelëza, e ndërtuar më 1919, lartohet pikërisht në atë vend, ku u duk Zoja. Në Rrethoren e Lutjes ndodhet edhe Sheshi Piu XII, kushtuar Papës që e dëshmoi vazhdimisht devocionin e tij për Zojën e Fatimës.
Shtatorja e Zojës, e gjatë 1. 10 metra, e kurorëzuar në vitin 1956, është mbartur jashtë Shenjtërores shtatë herë gjatë historisë së saj. Për herë të fundit, gjatë Vitit Jubilar të Shëlbimit, me dëshirë të Papës Gjon Pali II, i cili ia kushtoi mbarë njerëzimin Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekuar, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, më 25 mars 1984. Poshtë shtyllakut, që lidh Bazilikën me ndërtesat e tjera, bien në sy 14 Stacionet monumentale të “Udhës së Kryqit”, dhuruar nga katolikët hungarezë, së bashku me një kapelë, kushtuar Shën Shtjefnit, Pajtor i Hungarisë. Bazilika u ngrit në vitin 1928. Brenda saj, në kapela të veçanta, ndodhen varret e Françeskut e Xhaçintës, që u shpallën të Lum më 13 maj të vitit 2000. Në Fatima janë ngritur disa kolegje për nxënësit që vijojnë shkollat e mesme. E, sidomos, këtu ka shumë strehë, që mikpresin shtegtarët e shumtë, të cilët rrajnë gjithë vitin nga mbarë bota. Hotelet e ngritura rreth Shenjtërores mund të strehojnë 10 mijë vetë, pa llogaritur numrin e shtegtarëve, që mikpritet në shtëpitë rregulltare dhe në qendrat për ushtrime shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.