2010-05-12 20:14:10

Besnikëria ndaj thirrjes meshtarake kërkon guxim e bashkëpunim: kështu Papa në Mbrëmësoren me meshtarët, rregulltarët e diakonët në Fatima


(12.05.2010 RV)Në orën 19.00, me orën e Shqipërisë, Papa Benedikti XVI kremtoi Lutjen e Mbrëmjes, apo Mbrëmësoren, me meshtarët, rregulltarët, seminaristët e diakonët në kishën e Trinisë Shenjte në Fatima. Guri i parë i themelit të kësaj Kishe u vendos më 6 qershor 2004, në Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Trini. Qe caktuar për këtë themel, një gur jo i zakonshëm, por një copë mermeri, shkëputur nga varri i Shën Pjetrit Apostull, poshtë bazilikës së Vatikanit, dhuruar nga Gjon Pali II. Në shenjë mirënjohjeje për dhuratën e Papës, copa e mermerit u ekspozua përballë elterit të madh, ndërsa në themel u vendos një gur tjetër, marrë nga gërmimet rreth varrit të Kryeapostullit, në Vatikan.
E nga ky vend, Papa ia besoi e ia kushtoi meshtarët, Zojës së Fatimës, Vashës së Shpirtit Shenjt, së cilës i kërkoi dhuratën e paçmuar të shndërrimit në Krishtin e të përtëritjes së Kishës: RealAudioMP3
“Prania jote e bëftë shkretëtirën e vetmive tona – të lulëzojë, e diellin, të shndrisë mbi terrinat tona; na e jep hirin e qetësisë pas furtunës, që çdo njeri të shikojë shëlbimin e Zotit, i cili ka emrin dhe fytyrën e Jezusit, vulosë në zemrat tona, me zemrën tënde bashkuar sot e përgjithmonë. Ashtu qoftë!”
Në intervistën, që i dha Radio Vatikanit vetëm pak ditë më parë, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Portugeze, imzot Horhe Ferreira da Kosta Ortiga parashihte se takimi i meshtarëve me Papën, në këtë Vit Meshtarak, do të ishte njohje e rëndësisë së thirrjes së tyre, por edhe e problemit të rënies së numrit dhe ftesë për ta menduar ndryshe shërbimin në bashkësinë e krishterë, duke pasur parasysh edhe veprimtarët laikë. Në këtë këndvështrim, duhet kuptuar edhe fjala, që Papa u drejtoi sot të pranishmëve në Mbrëmësoren, kremtuar në kishën e Trinisë Shenjte, në Fatima të Portugalisë. Benedikti XVI iu drejtua të gjithëve:
“Të gjithë juve, që ia keni dhuruar jetën Krishtit, dëshiroj sonte t’ju shpreh vlerësimin dhe njohjen nga ana e Kishës. Faleminderit për dëshminë shpesh të heshtur e aspak të lehtë; faleminderit për besnikërinë ndaj Ungjillit e ndaj Kishës….Shqetësimi kryesor për çdo të krishterë, sidomos për personin e shuguruar e për ministrin e Elterit, duhet të jetë besnikëria ndaj thirrjes së vet, si dishepull që dëshiron të ndjekë Krishtin. Besnikëria në kohë është emri i dashurisë; i një dashurie koherente, të vërtetë e të thellë në Krishtin Meshtar”.
Papa kujtoi sa e sa meshtarë e rregulltarë, që me shembullin e tyre, janë bërë udhëheqës të denjë të bashkësisë, së cilës i përkasin, duke përmbushur kështu misionin e Kishës në botë: t’i çojë njerëzit drejt Jeruzalemit Qiellor:
“Sa e madhe është sot nevoja për këtë dëshmi! Shumë prej vëllezërve jetojnë sikur të mos ekzistonte bota e përtejme, pa u shqetësuar ta shpëtojnë veten për amshim. Njerëzit janë të thirrur të bëjnë pjesë në dijen e dashurinë e Zotit e Kisha e ka për detyrë t’i ndihmojë në këtë rrugë. E dimë mirë se Zoti është padron i dhuratave të veta; dhe kthimi i njerëzve, hir. Por, jemi përgjegjës për shpalljen e fesë, të krejt fesë dhe të kërkesave të saj”.
Shembulli i Famullitarit të Shenjtë të Arsit, Gjon Maria Vianej zuri një pjesë të madhe të fjalës së Papës, i cili vuri në dukje se si ai punonte me meshtarët, që të mos bëheshin indiferentë e të pandjeshëm para atyre besimtarëve, që fyenin Zotin, duke humbur shpirtin. Bashkëpunoni e mbështesni njëri-tjetrin, i këshilloi meshtarët e rregulltarët, Benedikti XVI:
“Besnikëria ndaj thirrjes kërkon guxim e besim, por Zoti dëshiron që të dini edhe si t’i bashkoni forcat; nxiteni njëri-tjetrin, duke u mbështetur vëllazërisht. Çastet e përbashkëta të lutjes e të studimit, bashkëndarja e kërkesave të jetës dhe të punës meshtarake janë pjesë e nevojshme e jetës suaj…Tregoni kujdes të veçantë për situatat e dobësimit të idealeve meshtarake, ose të pjesëmarrjes në aktivitete, që nuk përkojnë plotësisht me karakteristikat e një ministri të Jezu Krishtit. Prandaj, me ngrohtësi vëllazërore, është momenti të mbajmë qëndrimin e patundur të vëllait që ndihmon të vëllain “të mbahet në këmbë”.
Edhe thirrjet e reja meshtarake, varen nga sjellja e meshtarëve, theksoi Papa. Pikërisht priftërinjve, u la detyrën të zgjojnë përreth tyre interes, të japin shembullin personal e të luten, që besimtarët t’i afrohen Krishtit për t’i shërbyer gjithë jetën. Ndërsa seminaristëve u tha:
“Papa ju inkurajon të jeni të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që duhet të merrni mbi vete: verifikojini mirë qëllimet dhe motivacionet; përkushtojuni me shpirt e zemër formimit tuaj. Eukaristia, qendër e jetës së çdo të krishteri e shkollë përvujtërie e shërbimi, duhet të jetë objekti kryesor i dashurisë suaj. Adhurimi, përdëllimi e kujdesi për të Shenjtnueshmin Sakrament, përgjatë viteve të përgatitjes, do t’ju lejojnë që një ditë ta kremtoni flijimin e Elterit me dinjitetin e të shuguruarit të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.