Përkujtojmë Atë Mateo Riçin, jezuit, misionar në Kinë, në 400-vjetorin e vdekjes.
(11.05.2010 RV)Meshtar dhe shkencatar,
njeri i ditur dhe karizmatik. Ky qe Atë Mateo Riçi, jezuiti i ri italian, misionar
në Kinë, në kohën e dinastive Ming dhe Qing. Njeri i dialogut, Atë Riçi diti të ndërtojë
një urë të fortë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Sot bie 400-vjetori i vdekjes së
tij, më 11 maj 1610. Në mikrofonin tonë flet drejtori i “Institutit Mateo Riçi për
marrëdhëniet me Lindjen” prof. Filipo Minjini, me qendër në Maçeratë, vendlindje e
meshtarit misionar, ku këtë vit po organizohen shumë veprimtari që synojnë vlerësimin
e këtij personaliteti.
Pyetje: Prof. Minjini, ky përvjetor bie në një çast
historik të veçantë për hapjen politike dhe ekonomike të marrëdhënieve kulturore me
Lindjen, posaçërisht me Kinën. Çfarë mund të na mësojë për të tashmen jeta dhe vepra
e Atë Mateo Riçit?
Përgjigje: Duhet të kuptojmë se misioni kinez i Riçit dhe
i shokëve të tij, para katër shekujsh, pati sukses falë takimit të jashtëzakonshëm
të kulturës së tyre të krishterë dhe jezuite e cila në vend të parë vinte dashurinë,
kuptuar si përgjegjësi ndaj vetvetes dhe të afërmit, dhe do të thosha edhe ndaj botës
ku jetojmë. Kjo përkonte me idenë që kishin edhe kinezët, bashkëbisedues të Riçit,
me një fjalë, parimi se njeri perfekt është ai që vepron duke iu bindur hyjnores dhe
ndjek ligjet e natyrës. Në këtë pikë u takuan intelektualët perëndimorë dhe kinezë
dhe arritën të realizojnë takimin e jashtëzakonshëm të dy qytetërimeve që deri në
atë çast nuk njiheshin, por që e pranuan njëri-tjetrin si pjesë të të njëjtit njerëzim.
Ky më duket se është edhe mësimi i parë që duhet ta shikojmë më me kujdes.