2010-05-11 14:13:33

Mosteiro dos Jerònimos


(11.05.2010 RV)Mosteiro dos Jerònimos është një kuvend i ndërtuar në periudhën 1502-1580 mbi manastirin oshënar të Shën Marisë së Belemit, dhuruar nga Mbreti Manuel I Urdhërit të Fretërve të Shën Jeronimit. Kompleksi përdoret aktualisht nga Cerimoniali portugez për pritjen e krerëve të shtetit. Vendi ka një domethënie të veçantë simbolike, pasi sëbashku me Kullën e Belemit, kujton udhëtimet e zbuluesve dhe të misionarëve jashtë Portugalisë. Që nga viti 1983, kuvendi bën pjesë në listën e Pasurive të Njerëzimit, hartuar nga UNESCO. Më 6 janar 2001 u kremtua 500-vjetori i vendosjes së gurit të parë për ndërtimin e tij. Këtu është bërë gjithashtu edhe ceremonia e nënshkrimit të “Traktatit të Lisbonës” për reformimin e Bashkimit Evropian, më 13 dhjetor 2007.
Në planin artistik, meritojnë vëmendje fasada, kisha dhe kiostret. Fasada jugore ka një portë të dekoruar, që përfaqëson figura të ndryshme: poshtë, Infantin Henrike, që mbron hyrjen, në mes, Virgjërën e Belemit, që bekon monumentin dhe në majë, Kryengjëllin Gabriel, Pajtor i Portugalisë. Nga porta perëndimore hyhet në një kishë të madhe, kryevepër e artit manuelin, me qemerin e rruginës, që nuk mbahet nga asnjë kolonë. Në hyrje, pas korit të ultë, shihen jetëshkrime të shkurtra për poetin Luis de Kamoes e Vasco de Gama, pionier i lundrimeve drejt Indisë. Në kapelat anësore janë varrosur mbretërit, princat dhe infantët pasardhës të Manuelit I. Për t’u shënuar faltorja prej argjendi, vepër e një argjendarie portugeze të gjysmës së shekullit XVII.








All the contents on this site are copyrighted ©.