2010-05-11 17:20:47

Britani e Madhe: Nisin konsultimet për qeveri të re.


(11.05.2010 RV)Në Londër filluan negociatat e para zyrtare ndërmjet laburistëve dhe liberal-demokratëve për formimin e një qeverie të re. Në fillim, pas zgjedhjeve të 6 majit, nga të cilat asnjë parti nuk doli fituese, pati kontakte ndërmjet konservatorëve të Dejvid Kameron dhe liberal-demokratëve të Nik Kleg. Ndërkaq, kryeministri i tashëm Gordon Brown lajmëroi dje se ka ndërmend të japë dorëheqjen si udhëheqës i partisë laburiste. Po si duhet gjykuar kjo lëvizje e Braun?
Me ne profesori i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare të Universitetit të Padovës Antonio Varsori:


Përgjigje: Besoj se është një përpjekje për të dhënë ndonjë mundësi më tepër partisë laburiste. Braun, pavarësisht nga përvoja e tij si kryetar qeverie, ndoshta mendon se duke sakrifikuar veteveten, do t’i japë ndonjë mundësi më shumë partisë laburiste për t’i ruajtur kontaktet me liberal-demokratët dhe për të parë nëse ka mundësi për një koalicion qeverisës me ta.

Pyetje: Sidoqoftë, konservatorët dhe liberal-demokratët në këto çaste, po vazhdojnë me diskutimet për reformën elektorale. Cila është arsyeja?

Përgjigje: Ky është një nga kushtet themelore që kanë vendosur liberal-demokratët. Një ndryshim i sistemit elektoral mund t’i favorizojë në çfarëdolloj votimesh të ardhshme. Duhet të them, se ky ka qenë ngahera një fakt me tepër rëndësi për jetën politike angleze. Sistemi zgjedhor anglez, ka pasur probleme sepse duke qenë mazhoritar, e për më tepër i bazuar tek secila zonë në veçanti, i ka çuar anglezët drejt disa situatave që mund të quhen të çuditshme, që nuk pasqyrojnë vullnetin e elektoratit anglez. Nga ana tjetër, elektoratit anglez, në përgjithësi, i ka pëlqyer ky sistem sepse i ka garantuar qeveri të forta dhe jetëgjata.







All the contents on this site are copyrighted ©.