Në lutjen “Mbretëreshës Qiellore” Benedikti XVI kërkoi uratë për shtegtimin e tij
në Portugali dhe bekoi Kongresin eukaristik në Brazil.
(10.05.2010 RV)Ftesa për lutje, në prag të shtegtimit apostolik në Lisbonë
e në Fatima, përshëndetja e përzemërt drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit të ardhshëm
Eukaristik të Brazilit dhe ftesa për ta mbajtur lart cilësinë e mësimit në shkollat
katolike, ishin temat kryesore, që preku dje në mesditë Benedikti XVI. Para e pas
lutjes, drejtuar Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i kushtoi
një mendim shpirtëror Marisë që – theksoi – i dhuroi botës një pranverë të re.
Maji,
muaj i pranverës e muaj marian. Benedikti XVI i lidhi ngushtë kontekstin stinor e
atë liturgjik, në të cilin Kisha kujton Nënën e Krishtit. Në këtë periudhë – vërejti
Papa - në hemisferën tonë pranvera shpërthen në lule shumëngjyrëshe; klima e butë
të fton të dalësh nga shtëpia, të shëtitësh, të organizosh ekskursione. Ndërsa për
të krishterët kjo është Koha e Pashkëve, koha e Alelujës, koha e pritjes së Rrëshajëve.
Një periudhë – vijoi Ati i Shenjtë – që e intonon mirë traditën e Kishës për t’ia
kushtuar muajin e majit Virgjërës Mari: “Ajo është vërtetë lulja më
e bukur, që lulëzoi nga krijimi; trëndafili, që u duk në përmbushjen e kohëve, kur
Hyji, duke dërguar Birin e vet, i dhuroi botës një pranverë të re. E njëkohësisht,
ajo është protagoniste, e përvujtë e e kujdesshme, e hapave të para të bashkësisë
së krishterë: Maria është zemër shpirtërore e kësaj bashkësie, sepse vetë prania e
saj në mes të dishepujve, është kujtesë e gjallë e Zotit Jezus e peng i dhuratës së
shpirtit të tij”. E pikërisht në zemër të këtij muaji marian – vijoi Benedikti
XVI – do të kem gëzimin të shkoj në Portugali, për të vizituar Lisbonën e Porton e
për të arritur, pastaj, edhe në Fatima, me rastin e dhjetëvjetorit të lumnimit të
dy barinjve të vegjël, Xhaçintës e Françeskos: “Për herë të parë, si pasardhës
i Shën Pjetrit, do të shkoj në këtë Shenjtërore mariane, aq të dashur për Gjon Palin
II. I ftoj të gjithë të më shoqërojnë në këtë shtegtim, duke marrë pjesë gjallërisht
në të me lutje: me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, ta lusim Virgjërën Mari
të ndërmjetësojë për Kishën, posaçërisht për meshtarët e për paqen në botë”. Pas
lutjes së Mbretëreshës qiellore, Papa i drejtoi një përshëndetje të gjatë, në gjuhën
portugeze, popullit brazilian, i cili më 13 deri më 16 majin e ardhshëm do të jetojë
atmosferën e Kongresit të 16-të eukaristik kombëtar, në të cilin Benedikti XVI ka
caktuar si përfaqësues, kardinalin Klaudio Hummes. Motoja e Kongresit, fjalët e dishepujve
të Emausit: “Rri me ne, o Zot!”, shprehin – tha Benedikti XVI – dëshirën që rreh në
zemrën e çdo njeriu: “Possais todos vós, pastores e povo fiel... Ju
të gjithë, barinj e besimtarë, mund të rizbuloni se zemra e Brazilit është Eukaristia.
Pikërisht në të Shenjtnueshmin Sakrament të Elterit, Jezusi shpreh dëshirën e tij
për të qenë me ne, për të jetuar në ne, për të na u dhuruar ne. Kulti i tij na mëson
të njohim përparësinë e Hyjit, sepse vetëm Ai mund t’i shndërrojë zemrat e njerëzve,
duke i çuar në bashkim me Krishtin, në një korp të vetëm”. E, duke menduar
për përfundimin e Vitit meshtarak, Papa i ftoi të gjithë meshtarët të kultivojnë një
përshpirtëri të thellë eukaristike, sipas shembullit të Famullitarit të Shenjtë të
Arsit. Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhën italiane, Benedikti XVI kujtoi pjesëmarrësit
e Maratonës së 30-të të Pranverës-Festë e shkollës katolike, kryesuar nga kardinali
mëkëmbës, Agostino Valini. Papa përfundoi duke u uruar të gjithëve – drejtues, mësues,
nxënës e prindër të shkollave katolike, në të katër anët e Italisë – ta përfundojnë
sa më mirë këtë vit shkollor: “Ju inkurajoj, sidomos, ta mbani gjithnjë lart
cilësinë e mësimit e të edukimit në shkollat tuja, të cilat janë pasuri shumë e çmuar
për Kishën”.