2010-05-08 17:09:42

Lutja Zojës Rruzare në Pompei .


(08.05.2010 RV)Sot paradite mijëra besimtarë u mblodhen në Shenjtëroren e Zojës Rruzare të Pompeit. Sipas traditës, u kremtua lutja, e shkruar në vitin 1883, nga themeluesi i Shenjtërores, i Lumi Bartolomeo Longo. Sivjet lutjen e kryesoi kardinali Agostino Valini, mëkëmbës i Papës për dioqezën e Romës.
Po cila është domethënia e kësaj lutjeje, që kremtohet njëkohësisht në të gjitha Kishat e Botës? Pyetëm kryeipeshkvin e Pompeit, imzot Karlo Liberatin:

Përgjigje: - Pompei nuk ekzistone. Si lindi? Lindi, para së gjithash, nga një gjeni, një katolik, i cili e kishte humbur rrugën. Lindi nga intuita profetike që Bartolomeo Longo, avokat i ri, pati në një nga rrugët fshatarake të Pompeit, pasi u kthye tek Zoti, pas një periudhe të shkurtër hutimesh rinore. Nuk e dimë në se iu duk Zoja, apo i foli zemrës së tij. Ai vetë pohoi se papritmas u gjunjëzua e, i goditur si me rrufe nga hiri, dëgjoi një zë, që e ftonte t’ia kushtonte jetën devocionit të Rruzares dhe përhapjes së saj, duke e bërë luginën e Pompeit vend kushtuar Jezusit e Zojës së Bekuar e pikë referimi për gjithë Kishën. “Thuaje Rruzaren – tha zëri - e do të shpëtosh. Kushdo që do ta thotë Rruzaren, nuk do të humbasë!”.
Pas kësaj ngjarjeje të 2 tetorit 1872, Bartolomeo Longo bleu një truall për ngritjen e Shenjtërores, me pëlqimin e ipeshkvit të Nolës. Guri i parë i këtij tempulli qe vënë pikërisht më 8 maj të vitit 1976. Pas kësaj ngjarjeje, lugina, që nuk e donte askush, u mbush me vepra të dashurisë së krishterë: jetimore për bijtë e bijat e të burgosurve, për të gjithë të braktisurit, për fëmijët e rrugës; jetimët e luftës, vajzat e flakura në rrugë të madhe... Kjo lindi në emër të dashurisë së krishterë, sepse gjetëm edukatorë, që u mësuan vajzave e djemve si duhet jetuar!

Dy fjalë për vendin ku kremtohet:
Lutja, e kremtuar pranë Pompeit, të rrënuar nga një shpërthim vullkanik, duket sikur i bën këto gërmadha të lashta, të flasin, të qortojnë, të kujtojnë se fati i njeriut është i pasigurtë; se siguria mund të gjindet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është një shtesë e frytshme e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie, që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzarja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari, i cili është fshikulluar nga erërat e acarta të pasigurisë ekonomike e shpirtërore.
Në sfondin e Pompeit të lashtë, Lutja drejtuar Zojës merr vlerë simbolike; na kujton sa i paqëndrueshëm është fati i njeriut, sa të përkohshme, ëndrrat e shpresat e tij e sa nevojë ka mbarë njerëzimi për një hov të ri të kumtimit të krishterë në kohët tona. E ky kumtim konkretizohet posaçërisht në ftesën për vëllazërim universal.







All the contents on this site are copyrighted ©.