2010-05-08 17:01:54

Këndvështrim i ri i myslimanizmit mbi hebraizmin dhe krishterimin: teologja anglo-pakistaneze në universitetin “Angelicum” të Romës


(09.05.2010 RV)Ngjarje historike, ajo që ndodhi dje në Universitetin Papnor “Angelicum” të Romës, ku një teologe e re myslimane, anglo-pakistaneze, Mona Sidiki, drejtoreshë e “Qendrës për Studimin e Islamit” në universitetin e Glasgout, një nga zërat më me autoritet në qarqet akademike islamike, propozoi një këndvështrim të ri të myslimanizmit mbi hebraizmin dhe krishterimin. Rasti ishte konferenca e tretë vjetore e Universitetit të Shën Tomës së Akuinit mbi dialogun ndërmjet feve.
“Hebraizmi, krishterimi dhe islamizmi janë përmbushja e mesazhit të zbuluar, mesazh shpëtimi marrë nga profetët, që na fton të impenjohemi sëbashku për t’i shërbyer Zotit, me frymë nënshtrimi e përdëllimi”. Kjo ishte ideja qendrore e teologes, për të cilën fetë monoteiste janë gurë kilometrikë të së njëjtës rrugë, që çon drejt Zotit njerëzimin mbarë. Pluralizmi dhe ndryshimi i feve ndërmjet tyre janë vullnet i të njëjtit Zot, të cilit i drejtohen në mënyra të ndryshme të krishterët, hebrenjtë e myslimanët. Bashkimi e larmia e njerëzimit, theksoi Mona Sidiki, janë tema që bashkëjetojnë në Kuran e mund të interpretohen si në mënyrë përfshirëse, ashtu edhe përjashtuese, e pikërisht nga ky këndvështrim varet mundësia e dialogut dhe e paqes ndërmjet popujve me fe të ndryshme, pasi sfida e vërtetë e pluralizmit është bashkëjetesa e përditshme, duke e zbatuar teologjinë në praktikë:
“Personat bashkëpunojnë tashmë në nivelin shoqëror e ja përse është e rëndësishme të kuptojnë ndërlikimet e pluralizmit të vërtetë, i cili na kërkon të mendojmë për familjet që po rrisim, na imponon ta vrasim mendjen për brezat e rinj, që të mos përfundojnë në bashkësi të mënjanuara. Prandaj, mendoj se etika jonë personale dhe struktura jonë teologjike duhet të bashkohen e vërtet, duhet ta pyesim veten se ç’kuptojmë me pluralizëm”.
Është një impenjim i jashtëzakonshëm mendor për myslimanët, që gjithnjë e kanë konsideruar Allahun, Zotin e vetëm e të vërtetë e të tjerët, të pafe. Por dialogu dhe bashkëpunimi po i përfshin gjithnjë e më shumë edhe ata:
“Jam lindur në Pakistan e jam rritur në Britaninë e Madhe, por e njoh gjendjen e pakicave fetare në vendet myslimane e ajo është vërtet problematike. Shumë njerëz mendojnë se bashkësitë myslimane kërkojnë tolerancë kur jetojnë jashtë, por nuk mund të jenë tolerantë në vendin e tyre. Shumë prej nesh po mundohen të shkëputen nga ky këndvështrim i islamit. Ekzistojnë mesazhe shumë të thjeshta, që duhen përsëritur, e njëri prej tyre është: si mund të japim e të marrim me bujari?”
Por çdo formë dialogu duhet të jetë larg idesë se njerëzit mund të kthehen në fenë e tjetrit e duhet të bazohet mbi përvujtërinë e vullnetin për t’u takuar, si edhe mbi kërkimin e së Vërtetës, siç thekson rabini Xhek Bemporad, drejtor i Qendrës për Mirëkuptimin Ndërfetar në Nju Xhersi të SHBA-ve:
“Mendoj se njohja është thelbësore. E kjo, për shkak të vështirësive, që në të kaluarën na bënin të thoshim: kjo është feja ime, është e vërtetë e ne i kemi të gjitha gjërat e mira; feja tjetër nuk është e vërtetë e të gjitha gjërat e saj janë të këqia. Koncili II i Vatikanit e ka ndryshuar krejtësisht këtë konceptim, duke na thënë se është e nevojshme ta kuptojmë tjetrin e ta pranojmë ashtu siç është. Këtë duhet ta bëjnë edhe fetë e tjera”.
Ideja e rrënjëve të përbashkëta në Zotin – përfundoi teologia myslimane, Mona Sidiki – e përjashton konceptin e “të pafeve” dhe premisat që ushqejnë luftra e konflikte ndërfetare. Por – saktësoi ajo – dialogu duhet të mbështetet nga vullneti politik për të ndryshuar, përndryshe mbetet një ushtrim fisnik me efekt të kufizuar pajtues. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.