2010-05-08 17:19:44

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Fatima në mijëvjeçarin e ri”


(09.05.2010 RV)Javës që vjen, duke filluar nga dita e martë e deri të enjten, Papa Benedikti XVI do të shkojë për një vizitë apostolike në Portugali. Në qendër të këtij shtegtimi është Zoja e Fatimës, në 10-vjetorin e lumnimit të dy barinjve që e panë, Françeskut e Xhaçintës. Pikërisht ky është argumenti i editorialit të sotëm të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi: RealAudioMP3
“Gjon Pali II deshi që “sekreti i tretë” i Fatimës të bëhej i njohur me rastin e lumnimit të dy barinjve, Françeskut e Xhaçintës, gjatë Jubileut të vitit 2000, në kapërcyell të dy mijëvjeçarëve. Po përfundonte një shekull i karakterizuar nga dhimbje të mëdha, për të cilat vizioni i Fatimës jepte një intepretim shpirtëror, dramatik e të ndritshëm njëkohësisht: kohë luftrash e martirizimesh, ku Kisha dhe Papa vetë merrnin pjesë deri në fund në vuajtjet dhe në etjen për shpëtim të njerëzimit mbarë.
Fëmijëve të paditur, në një vend pa pikë rëndësie – siç është karakteristike për ngjarjet e mëdha mariane – iu besua mesazhi, nga ku, me thjeshtësi, shpërthente forca shpirtërore që mund të kapërcente kufijtë e të përçohej përmes pështjellimeve më të rënda të historisë së njerëzimit.
Tani, pas zbulimit të “sekretit”, meqë faktet janë përmbushur, ç’na thotë akoma mesazhi i Fatimës? Në përfundim të komentit të tij, në botimin e tekstit të “sekretit”, kardinali Racinger i atëhershëm thoshte: “Vepra e Zotit, Hyjit të historisë, dhe bashkëpërgjegjësia e njeriut, në lirinë e tij dramatike dhe të frytshme, janë dy shtyllat mbi të cilat ndërtohet historia e njerëzimit. Zoja, që u duk në Fatima, na bën thirrje për të besuar në këto vlera të harruara, në të ardhmen e njeriut në Zotin, pjesë aktive dhe e përgjegjshme e të cilit jemi edhe ne”.
Kemi nevojë për sy të pastër e të pafajshëm për të parë rrugën e mijëvjeçarit të ri dhe për të kuptuar ku qëndrojnë rreziqet dhe shpresat e tij më të vërteta. Mesazhi i Fatimës e ruan krejtësisht seriozitetin e vet para historisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.