2010-05-07 19:40:10

Sot pasdite u kremtua Mesha e Dritës e kardinalit Pogji


(07.05.2010 RV)Sot pasdite, në orën 17. 30, kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën e Dritës për kardinalin piaçentin, Luigji Pogji, Arkivist e Bibliotekar nderi i Kishës së Shenjtë Romake.
Në përfundim të kremtimit eukaristik, Papa u drejtoi fjalën të pranishëme, duke e kujtuar figurën e të ndjerit, në frymën e leximeve biblike të Meshës. Në këtë frymë – pohoi Papa – vëllau ynë i ndjerë e kaloi gjithë jetën e tij, kushtuar Zotit e shërbimit të vëllezërve, duke u bërë, kështu, dëshmitar i një feje guximtare, që di t’i besojë në gjithçka Atit të gjithëpushtetshëm. Mund të themi se i gjithë misioni meshtarak i kardinalit Pogji iu kushtua shërbimit të drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë – tha Papa – e më pas përshkroi shukurtimisht jetën e të ndjerit, lindur në Piaçencë, më 25 nëntor 1917, shguruar meshtar më 28 korrik 1940. Që në fillim, në shërbim pranë Sektorit të parë, të asokoshëm, të Sekretarisë së Shtetit, kreu misione në Tunizi, në Afrikën Qëndrore, në Kamerun, Çad, Kongo-Brazavil, Gabon e në Republikën Qendro-Afrikane. Në maj 1969 u emërua nunc apostolik në Peru; në gusht 1973 u thirr në Romë edhe u ngarkua me detyra të posaçme pranë qeverisë së Polonisë, Hungarisë, Çekosllovakisë, Rumanisë e Bullgarisë, për të përmirësuar situatën e Kishës katolike në këto vende. U bë, kështu, protagonist i asaj, që njihet me emrin ‘ostpolitk’ e Vatikanit në vendet e bllokut komunist. U krijua kardinal në Koncistorin e 26 nëntorit 1994 e, më pas, u emërua Arkivist e Bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake, detyrë që e kreu derisa doli në pension.
Kështu u shpreh Papa e, në përfundim të homelisë ia besoi shpirtin e të ndjerit Atit të jetës, duke iu lutur ta pranojë në vendin e përgatitur për miqtë e tij, shërbyes të Ungjillit e të Kishës.
Pasi mbaroi kremtimi, Papa kryesoi ritin e lamtumirës së fundit e të Valedictio-s. 







All the contents on this site are copyrighted ©.